Që nga fillimi, Zidane vendosi një strategji të qartë dhe të disiplinuar, e fokusuar në presingun inteligjent gjatë ndërtimit të lojës nga mbrojtja e Barcelonës. Ai u tha lojtarëve të tij: “Kur Barcelona fillon të ndërtojë nga prapa, duhet t’i presim me një strukturë 4 x 3. Ronaldo, detyra jote është të bllokosh pasimin midis portierit dhe qendërmbrojtësit të parë. Benzema, preso Busquets dhe blloko opsionet e tij të pasimit.
Bale, shko dhe sulmo qendërmbrojtësin e dytë. Duke vepruar kështu, Busquets do të detyrohet të zbresë më thellë për të marrë topin, duke humbur kështu mbizotërimin numerik në mesfushë. Kroos dhe Modric, mos lejoni që topi të arrijë tek Iniesta apo Rakitic. Iniesta do të përpiqet të lëvizë brenda për t’ju nxjerrë nga pozicioni dhe krijuar hapësirë për Suárez ose Messi. Hej Casemiro, atëherë ti je përgjegjës për Iniesta.

Nëse Iniesta apo Rakitic marrin topin, presoni ashpër për t’i detyruar ta kthejnë topin te Busquets. Objektivi është të mbyllim të gjitha linjat vertikale të pasimit tek Busquets dhe të lëmë vetëm krahët, duke i detyruar të luajnë në anë. Suárez do të duhet të qëndrojë në krah për të shtrirë fushën, aty nuk është rrezik real. Për Messin, të gjithë janë përgjegjës për mbulim, në varësi të vendndodhjes së tij në fushë, jo një lojtar i caktuar”.
Këto ishin elementët kyç të planit të qetë, por brilant të Zidane për të bllokuar Barcelonën. Në atë kohë, Real Madridi po kalonte vështirësi të mëdha, mediat e kishin deklaruar “ekip të mbaruar”, Ronaldon në “metrat e fundit”, ndërsa të bardhët e kishin humbur rëndë “El Clásico” e parë të sezonit. Megjithatë, Zidane riktheu balancën, ndezi besimin dhe udhëhoqi Real Madridin drejt një fitoreje kyçe. Ky plan loje i ndeshjes ndaj Barcelonës tregon pak nga njeriu Zinedine Zidane, por shumë nga gjenialiteti i tij i qetë taktik.







