Zyrtare, ikona e UFC-së rikthehet në kafaz pas pushimit të gjatë

12 Maj 2019
15:26
Telesport
back button

24 orë pas lajmit se Nate Diaz i është nënshtruar një kontrolli antidoping ka ardhur konfirmimi se ikona e arteve marciale mikse do të rikthehet në kafaz pas 3 vitesh mungesë. Diaz, 34 vjeç (19 fitore e 11 humbje në artet marciale mikse) do të përballet me 32-vjeçarin Anthony Pettis (22 fitore e 8 humbje në UFC).

Ky duel do të zhvillohet në eventin UFC-241, që zhvillohet më 17 gusht në Anaheim të Kalifornisë. Sfida do të jetë e vlefshme për peshën “welter” (pesha 71-77kg). Kjo përballje konsiderohet nga UFC-ja si sfida “mbështetëse” e asaj për titullin kampion bote në peshën e rëndë mes Daniel Cormier dhe Stipe Miocic.

Ai që ka konfirmuar këtë përballje është presidenti i UFC-së, Dana White, që tha se është arritur marrëveshja mes dy sportistëve, në një postim në rrjetet sociale. Nate Diaz nuk duelon që prej korrikut 2016, kur humbi revanshin me Conor McGregor. Ndërsa Pettis ka dueluar për herë të fundit në mars të këtij viti, kur mposhti me “KO” Stephen Thompson.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit