150 ndeshje me Zvicrën dhe kualifikim në 1/8 finale, Xhaka: Ky vend, ku kam lindur dhe jam rritur, i ka dhënë shumë familjes sime

3 Korrik 2026
10:28
Alfred Lleshi
back button

Ai rrumbullakosi 150 ndeshje me fanellën e kombëtares helvete, kapiten i së cilës është. Shqiptari Granit Xhaka nënvizoi dashurinë e tij për Zvicrën dhe vlerësimin e veçantë për Manzambi, direct pas fitores 2-0 ndaj Algjerisë dhe kualifikimit në 1/8 finale të Botërorit.

Kalimi në 1/8 e finales së Botërorit dhe ndeshja juaj e 150-të për kombëtaren, një ditë perfekte për ju?
Është një privilegj ta kem veshur këtë fanellë për herë të 150-të. Ky vend, ku kam lindur dhe jam rritur, i ka dhënë shumë familjes sime. Shpresoj që kjo të mos jetë ndeshja ime e fundit.

Çfarë i thatë ekipit para ndeshjes?
Dëshira ime ishte ta bënim këtë ditë edhe më të veçantë duke kaluar më tej. Dhe ekipi e bëri këtë.

Zvicra ka fituar për herë të parë që nga viti 1938 një ndeshje me eliminim direkt në Kupën e Botës…
Nuk e dija këtë, sinqerisht. Nuk jam fans i statistikave. Ne shohim ndeshje pas ndeshjeje. E dimë çfarë mund të bëjmë dhe ku duhet të përmirësohemi. Brenda pesë ditësh duhet të jemi sërish gati.

Si e vlerësoni paraqitjen e skuadrës kundër Algjerisë?
E pjekur. Pjesa e parë ishte e mirë, e dyta shumë e mirë. Por në një ndeshje me eliminim nuk ka rëndësi si luan, por të kalosh më tej. Dhe ne ia dolëm.

Çfarë ju bëri më shumë përshtypje nga kjo Zvicër?
Puna në mbrojtje. Në tri ndeshjet e para kishim pësuar gjithmonë gol. Sot ishte shumë e fortë si paraqitje kolektive.

Zvicra ka ende një Johan Manzambi të jashtëzakonshëm…
Ai është në rrugën e duhur për t’u bërë lojtar shumë i madh. E shihni, edhe sot na ndihmoi me një gol. Ai dëshiron të përmirësohet çdo ditë. Me këtë mentalitet që ka në moshë të re, mund të arrijë shumë lart.

Në Zvicër, tifozët janë zgjuar herët për ta ndjekur ekipin. Sa e keni ndjerë këtë?
Nuk është e vetëkuptueshme të zgjohesh në pesë të mëngjesit për të parë ndeshjen. Ne donim t’ua shpërblenim tifozëve këtë mbështetje. Jemi shumë mirënjohës dhe e ndiejmë këtë entuziazëm.

A është avantazh që Zvicra do të luajë për herë të tretë radhazi në Vankuver?
Nuk e di nëse është avantazh i madh. Ne duhet të përqendrohemi te paraqitja jonë. Por na pëlqen këtu, hoteli është i shkëlqyer dhe atmosfera në stadium ishte shumë e mirë.

Gana apo Kolumbia, cilën do të preferonit në 1/8 finale?
Futbolli nuk është dëshirë. Nëse duam të kalojmë më tej, duhet të mposhtim këdo. Tani presim qetësisht kundërshtarin.

Granit Xhaka, kapiteni i Zvicrës, hyn në sallonin e rekordeve ndërkombëtare

Lajme të tjera

Lajmet e fundit