Napoli zyrtarizon Allegrin. “Mirë se erdhe Max”, De Laurentiis konfirmon trajnerin e ri

3 Korrik 2026
11:14
Alfred Lleshi
back button

Tashmë është edhe zyrtare: Massimiliano Allegri bëhet trajneri i ri i Napolit. Pas ndarjes me Conte, presidenti De Laurentiis ka zgjedhur ish-trajnerin e Milanit për sezonin e ri. “SSC Napoli i uron mirëseardhjen Massimiliano Allegri, i cili merr detyrën si trajner i ekipit të parë. Trajneri ka firmosur një kontratë që e lidh me klubin deri më 30 qershor 2029”, – njoftoi vetë ADL përmes një postimi në “X”.

Sa i përket marrëveshjes, Napoli dhe Allegri kanë rënë dakord për një kontratë trevjeçare me 4.5 milionë euro neto në sezon. Shifër pak më e ulët se 5 milionët që ai përfitonte te Milani, ku kishte kontratë deri më 2027.

Në komunikatën zyrtare kujtohet edhe karriera e tij: “Pas një karriere të gjatë si futbollist, ku ka veshur edhe fanellën e Napolit në sezonin 1997/98, Max Allegri e filloi rrugën si trajner në sezonin 2003/04. Më 2007/08 drejtoi Sassuolon drejt ngjitjes historike në Serie B, duke fituar edhe Superkupën e Serie C1. Më pas debutoi në Serie A me Cagliarin, duke përfunduar i nënti dhe fituar ‘Panchina d’oro’.

Më 2010 kaloi te Milani dhe fitoi kampionatin e 18-të dhe Superkupën e 6-të italiane. Nga 2014 deri më 2019 drejtoi Juventusin, ku fitoi pesë kampionate radhazi, katër Kupa Italie dhe dy Superkupa, si dhe luajti dy finale të Champions League. Më pas rikthehet sërish te Juventusi dhe fiton Kupën e Italisë më 2024. Sezonin e kaluar drejtoi Milanin duke përfunduar i pesti në kampionat. Mirë se erdhe, mister Allegri!”

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit