Alphonso Davies nuk ka prekur topin e futbollit në fushë për më shumë se 200 ditë. Në fund të marsit, mbrojtësi kanadez këputi ligamentin e kryqëzuar në gju gjatë ndeshjes së Kanadasë kundër Amerikës, duke shkaktuar pakënaqësi te Bayern Munich. Që atëherë, 24-vjeçari ka punuar drejt rikthimit të tij në fushë.
Puna, megjithatë, është kryesisht mendore, siç e shpjegoi vetë për kanalet zyrtare të klubit bavarez: “Procesi është më i vështirë mendërisht se sa fizikisht. Muskujt rikthehen vetë. Por të mos dish se sa kohë do të jesh jashtë ose nëse do të jesh në gjendje të bësh gjëra të caktuara përsëri është e vështirë“, shpjegoi Davies.
Majin e kaluar, lojtari zbuloi se kishte pasur një krizë mendore për shkak të këtij problemi, duke shpërthyer në lot në dush. Tani, që nga fillimi i shtatorit, ai është rikthyer me ushtrimet e tij të para me topin, megjithëse do të duhet të presë ende për t’u riintegruar me pjesën tjetër të grupit dhe për t’u rikthyer në ritmin e ndeshjes.
“Më duhet vetëm të ndërtoj pak më shumë masë muskulore në këmbën time të djathtë. Kur mjekët më thanë se sa kohë do të zgjaste rikuperimi, mendova, ‘Oh uau, do të jetë një udhëtim i gjatë’. Por tani gjithçka duket se po shkon mirë“, shtoi Davies.
Në fund, mbrojtësi skuadrës bavareze sheh anën pozitive për momentin: “Pjesa më e vështirë e rehabilitimit tani është pas nesh. Mezi pres të kthehem në fushë me shokët e mi të ekipit. Mezi pres të kthehem të bëj atë që dua.”







