Avionë privatë dhe bileta deri në 2 milionë dollarë; është finale për super të pasurit. Spanja proteston: Skandaloze!

17 Korrik 2026
12:01
Alfred Lleshi
back button

Më 19 korrik, stadiumi “MetLife” në New Jersey do të presë finalen e Botërorit 2026, ku Spanja dhe Argjentina do të luftojnë për titullin kampion bote. Por, përveç formës së Yamal dhe rrezikut të pezullimeve për Messin e disa shokë të tij, vëmendjen e ka marrë edhe kostoja marramendëse e eventit: helikopterë, avionë privatë, bileta deri në 2 milionë dollarë dhe çmime dinamike që e kanë kthyer finalen në një luks për një elitë të vogël financiare.

Për herë të parë në histori është përdorur sistemi i çmimeve dinamike, ku vlera e biletave ndryshon sipas kërkesës. Biletat më të lira prej 700 eurosh rishiten deri në mbi 32 mijë euro, ndërsa vendet më të mira arrijnë deri në 2 milionë dollarë.

Platforma zyrtare e FIFA-s mban 15% komision nga blerësi dhe 15% nga shitësi. Federata spanjolle e ka quajtur sistemin “skandaloz dhe të papranueshëm”, duke thënë se përjashton tifozët tradicionalë. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i ka minimizuar kritikat, duke ironizuar se do t’i çojë personalisht “një hot dog dhe një Coca-Cola” kujtdo që shpenzon 2 milionë dollarë për një biletë.

Edhe transporti është kthyer në privilegj për të pasurit. Aeroporti privat “Teterboro”, vetëm 6 milje larg stadiumit, është plotësisht i rezervuar. Hangarët kushtojnë rreth 10 mijë dollarë për ditën e finales, ndërsa një fluturim me helikopter nga Manhattan kushton rreth 6 mijë dollarë për vetëm 4 minuta.

Ndërkohë, tifozët e zakonshëm përballen me transport të kufizuar dhe çmime të larta. Në stadium pritet të ketë kryesisht turistë të pasur, sponsorë dhe të ftuar të kompanive. Përjashtim i vogël janë 1000 bileta me çmim 50 dollarë për banorët me të ardhura të ulëta të New York, të siguruara pas një marrëveshjeje me kryebashkiakun Mamdani.

Një numër minimal krahasuar me miliona spektatorët e Botërorit, në një finale që sipas kritikëve po largohet gjithnjë e më shumë nga rrënjët popullore të futbollit.

Çmimet fillestare, që gjithsesi nuk ishin aspak popullore, kanë shpërthyer fjalë për fjalë, duke kaluar shumë përtej kufirit të spekulimit. Ja disa shembuj:
Kategoria 4 (më të lirat): 700 euro, të rishitura nga 4.450 euro deri në mbi 32.000 euro.
Kategoria e ndërmjetme: 3.150 euro, të rishitura nga 4.800 deri në 5.785 euro në kanalet zyrtare.
Kategoria 1 (vendet më të mira): 9.600 euro, arrijnë deri në 190.000 euro (në tregun primar).
Vendet më të mira: arrijnë deri në 2 milionë dollarë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit