Klubi serb i futbollit, Crvena Zvezda, me trajner Dejan Stankovic, fitoi 4-0 ndaj irlandezo-veriorëve të Larne Football Club, në fushën e këtyre të fundit, në ndeshjen e raundit të dytë kualifikues të Champions League. Deri këtu nuk ka asgjë për t’u habitur, por ajo që ndesh në faqen zyrtare të klubit serb në facebook është skandaloze.
UEFA nuk duhet t’i mbyllë sytë, por të reagojë shpejt dhe me forcë. Më konkretisht, sikurse duket edhe në “screen” bashkangjitur, Crvena Zvezda, pasi në faqen e vet zyrtare në facebook, publikoi një postim me përmbajtje thellësisht politike lidhur me Kosovën.

Në postim, klubi serb shkruan: “Kosova është Serbi! Faleminderit Larne Football Club!” Postimi shoqërohet me një fotografi nga tribunat, ku shfaqet një banderolë me mbishkrimin “KOSOVO IS SERBIA”, si dhe një hartë e Kosovës e mbuluar me flamurin serb.
Në publikim, Crvena Zvezda etiketon edhe klubin irlandezo-verior, Larne Football Club, duke e falënderuar atë, ndërsa nuk jep shpjegime të mëtejshme mbi kontekstin e fotografisë apo arsyen e falënderimit. Postimi u publikua në faqen e verifikuar të klubit dhe brenda pak orësh grumbulloi mijëra reagime, qindra komente dhe dhjetëra shpërndarje, duke nxitur debat të gjerë në rrjetet sociale.
Mesazhi vjen në një kohë kur UEFA dhe FIFA kanë rregulla të qarta, që ndalojnë shfaqjen e mesazheve me karakter politik gjatë aktiviteteve futbollistike, ndërsa postimi i Crvena Zvezda pritet të vazhdojë të ngjallë diskutime për përzierjen e sportit me çështje politike.







