“Fatkeqësisht nuk është diçka që varet nga unë, duhet të pres dhe të shoh se çfarë vendimesh do të merren”. Është kjo deklarata e dhënë nga piloti spanjoll Carlos Sainz, që në fund të këtij viti do të largohet nga Ferrari.
Edhe pse është një pilot që kërkohet nga shumë skuadra, spanjolli ende nuk e ka të qartë se çfarë do të bëjë vitin tjetër, teksa do t’i lërë vendin Lewis Hamilton. Ideja për të zënë vendin e Hamilton te Mercedes është bërë më e ndërlikuar, sepse Sainz nuk është më prioritet.
Sipas asaj që raportohet nga gazeta gjermane “F1-insider.com”, Mercedes vërtet i ka paraqitur një ofertë Sainz, por kontrata do të ishte e 1-vjeçare, për të mbajtur dyert hapur për një arratisje të mundshme të Verstappen nga Red Bull. Pa harruar ardhjen e të riut Kimi Antonelli.
Edhe Audi pret një përgjigje përfundimtare nga Sainz para garës së ardhshme në Montekarlo. Pranimi i kontratës vjetore të Mercedes nënkupton se Sainz do të jetë i lirë sërish vitin 2026, por në atë pikë pa mundësinë e bashkimit me Audi.
Kështu, kontrata vjetore në Mercedes apo kontrata joshëse nga pikëpamja ekonomike nga Audi, janë dy opsionet e vetme për pilotin spanjoll. Sainz nuk mund të shpresojë te Red Bull, i cili ka ende rinovimin e Perez si opsion të pare.