Ramon Alvarez de Mon, gazetar shumë pranë Real Madrid, ka dhënë një lajm të bujshëm në lidhje me të ardhmen e Carlo Ancelotti-t.
Në rrjetin social X dhe në kanalin e tij në YouTube, De Mon ka shpjeguar se trajneri italian “nuk e përjashton mundësinë që të shkojë në Arabinë Saudite, pasi të largohet nga Real-i”. Gjithashtu, gazetari ka zbuluar edhe se Ancelotti “ka marrë një ofertë shumë të rëndësishme që tani”.
Real Madrid duket se e ka gati zëvendësuesin.
Bëhet fjalë për Xabi Alonso-n, ish-mesfushor i Los Blancos, aktualisht në drejtim të Bayer Leverkusen.
Kontrata aktuale e Carlo Ancelotti-t skadon në qershorin e 2026-ës, por në rast të një sezoni negativ, divorci do të ishte i parakohshëm.
Në të kundërt, në rast të një sezoni pozitiv, trajneri italian do të qëndronte në drejtim të Real Madrid deri në fund të kontratës.
Në Arabinë Saudite duket se i kanë ofruar Ancelotti-t një kontratë shumëvjeçare nga e cila do të fitonte rreth 50 milionë euro në pak vite.
Mbetet për t’u kuptuar nëse Don Carlo do të tundohet nga oferta e pasur apo do ta mbyllë karrierën e tij pasi të largohet nga Real Madrid.