Këtë fundjavë, Formula 1 do të zbarkojë në Europë, ku do të zhvillojë garën e parë të këtij sezoni në “kontinentin e vjetër”. Do të garohet në pistën legjendare të Imola, një cirkuit i stilit të vjetër, ndaj konsiderohet i përshtatshëm për të provuar risitë e reja.
Pothuajse të gjitha skuadrat kanë zgjedhur pistën e Imola për të testuar risitë e tyre e mes makinave që do të paraqesin modifikime janë edhe Ferrari, Red Bull e Mercedes. Këto tri skuadra do të përpieqn t’i kundërpërgjigjen McLaren, që i solli risitë që në Majemi, ku dhe fitoi.
Makina që do të ketë ndryshimet më të mëdha është Ferrari, që kërkon të mos humbasë vendin e dytë dhe të ngushtojë distancat me Red Bull. Por edhe Mercedes ka mjaft risi që do të provojë, për të treguar se janë në drejtimin e duhur dhe kënaqur pilotët.
Pas garave të para në Lindjen e Mesme, Azi dhe së fundi në Amerikë, skuadrat kanë kuptuar se ku duhet punuar më shumë. Ndaj, Imola konsiderohet si trampoline e duhur për t’i aplikuar ato, për të patur një paraqitje sa më të mirë.