Chelsea do të luajë sot në Conference League ndaj Gent, një ndeshje që nuk konsiderohet fort e vështirë prë “blutë” e Londrës. Paraqitjet e mira në kampionat e bëjnë ekipin e trajnerit Enzo Maresca favorit, por ai, nga ana tjetër, duhet të përballet edhe me disa pakënaqësi.
Këtë sezon, Mykhailo Mudryk është aktivizuar pak, ndaj sot pritet që ai të jetë titullar: “Ka luajtur që në fillim kundër Wolverhampton, ndaj do t’i japim më shumë hapësira. Të gjithë dëshirojnë të luajnë nga fillimi, por nuk është e mundur”.
“Unë duhet të bëj disa zgjedhje. Javën e kaluar ai luajti shumë mirë kundër Barrow, le të shpresojmë që ai të ketë një ndeshje të mirë edhe sot në Europë. Gjërat ndryshojnë shpejt në Premier League, ndaj të gjithë duhet të jenë gati në çdo moment”, tha Maresca.
“E vetmja gjë që kërkojmë është që lojtarët të japin gjithçka kur të kenë shansin e tyre. Casadei? Ai mund të luajë pozicione të ndryshme. Fizikisht ai mund të na ndihmojë në lojën me dhe pa top. Atij i pëlqen të sulmojë, por ai gjithashtu di të bëjë fazën tjetër”, shtoi Maresca.
Duke folur për turneun e Conference League, trajneri italian tha: “Është një turne i rëndësishëm, kështu që ne jemi të emocionuar dhe do të përpiqemi të bëjmë më të mirën. Është një kompeticion europian dhe ne duhet të jemi gati”.
Në këtë ndeshje, Chelsea do të luajë pa Cole Palmer: “Ne kemi luajtur disa ndeshje pa të. Sigurisht Cole është i rëndësishëm, për të cilin kemi nevojë, por ka shumë ndeshje dhe duhet të mbrojmë lojtarët”.