Sërish dëmtime te Manchester United, mbrojtësi do të qëndrojë disa javë pushim

9 Tetor 2024
10:37
Telesport
back button

Sikur të mos mjaftojnë rezultatet jo të mira në fushë, skuadra e Manchester United vijon të përndiqet nga dëmtimet e shumta. Më i fundit është ai i Harry Maguire. Qendërmbrojtësi 31-vjeçar anglez do të qëndrojë jashtë fushës për disa javë.

Ai pësoi një dëmtim të muskujve të kofshës gjatë barazimit 0-0 të së dielës me Aston Villa. Gjatë pjesës së parë, pas një goditjeje të lire, Maguire duhej të merrte asistencë nga stafi mjekësor për t’u larguar nga fusha.

Harry Maguire, në një deklaratë për mediat sot saktësoi situatën pas dëmtimit: “Jam i frustruar nga dëmtimi i pësuar në fundjavë. Do të jenë disa javë pushim për mua, por do të kthehem më i fortë”.

Mbrojtësi anglez ka luajtur 9 ndeshje për Manchester United këtë sezon, duke filluar 6 prej tyre nga minuta e parë. Ai realizoi golin e barazimit në fushën e Porto në Champions League në minutat shtesë.

Duke marrë parasysh procesin gradual të rikuperimit të Leny Yoro, për momentin opsionet mbrojtëse të Ten Hag mbeten De Ligt, Jonny Evans, Lisandro Martinez dhe Victor Lindelof, i cili është sërish i disponueshëm.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit