Botërori i Formula 1 do të vijojë këtë fundjavë në pistën e Imola, në garën e parë europiane të këtij sezoni. Pas gati 3 muajsh vërdallë në botë, sporti më i bukur i garave të automobilizmit do të debutojë këtë sezon në “shtëpinë” e Ferrari, ku italianët shpresojnë te fitorja.
“Pas shumë garash larg shtëpisë, ne e nisim sezonin europian me këtë fundjavë dhe e bëjmë në pistën e Imolas. Jemi në pistën më të afërt me selinë tonë në Maranello, e cila mban edhe emrin e themeluesit tonë”, u shpreh Frederik Vasseur për mediat.
“Ne i kthehemi formatit klasik, me tre seanca përgatitje dhe kjo është arsyeja pse vendosëm të sjellim paketën e parë të përditësimit të SF-24 këtu. Kemi një fundjavë shumë intensive përpara, pasi do të duhet të vlerësojmë me kujdes të gjitha tiparet e reja”, u shpreh drejtuesi francez i “kokëkuqes”.
Më tej ai shton se vëmendja më e madhe është e përqendruar te kualifikueset dhe gara. “Si gjithmonë presim vlera shumë të ngushta me rivalët tanë dhe kur skenari është kaq i ngushtë, konfigurimi i saktë i makinës është vendimtar”, tha Vasseur.
“Pas anulimit vjet të garës së Imola, jemi të lumtur që mund të konkurrojmë sërish në këtë pistë, para tifozëve tanë. Jam jam i sigurt se do të mbushin pistën e garës dhe do të kemi mbështetjen e tyre”, tha shefi i Ferrari.
“Kemi besim se mund të jemi protagonistë në këtë pistë, se do të jemi atje dhe do të luftojnë në çdo front. Ne shpresojmë t’u japim atyre ndonjë arsye për t’u gëzuar, pasi mendojmë se kjo është pista e gara e duhur për ta bërë këtë gjë”, tha Vasseur.