Trajneri i Liverpool-it, Jürgen Klopp, kujton se ndeshja më spektakolare që ka përjetuar me “Reds” ishte përmbysja epike 4-0 kundër Barcelonës, në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve 2019.
Gjermani, i cili dha konferencën e tij të fundit për shtyp si trajner në “Anfield” kujtoi atë që përjetoi kundër Barcelonës në maj 2019, kur përmbysën disavantazhin 3-0 të ndeshjes së parë, për t’u kualifikuar në finalen e Ligës së Kampionëve, që më vonë e fituan kundër Tottenham Hotspur.
“Ndeshja më spektakolare ishte kundër Barcelonës. Goli më i mirë, ai i shënuar nga Alisson Becker kundër West Brom më 2021. Asistimi më i mirë, ai i Trent Alexander-Arnold kundër Barcelonës, pritja më e mirë nga Alisson kundër Napolit. Goli më i mire, ai me thembër, që u shënua nga Sadio Mané”, – nënvizoi Klopp.
Pavarësisht kësaj, gjermani pohoi se futbolli më i mirë që kanë luajtur ndonjëherë ishte kundër Manchester City këtë sezon: “Ne kurrë nuk e kemi kontrolluar City si këtë sezon. I kemi mundur ata më parë, disa ndeshje, por kurrë nuk kemi bërë aq presion mbi ta sa këtë vit”.
Gjatë qëndrimit të tij 9-vjeçar në stolin e Liverpool, trajneri Klopp ka fituar çdo kompeticion të mundshëm, përfshirë Ligën e Kampionëve më 2019 dhe Premier League e parë në 30 vite për “Reds”. Gjithashtu humbi dy kampionate me një pikë më pak se triumfuesi final, si dhe u rrëzua në dy finale Champions-i kundër Real Madridit, si dhe një finale të Ligës së Evropës.
“Mirë, e di që mund të kishim fituar më shumë, por nuk është diçka që mund ta ndryshoj. Humbja e Premier League për vetëm një pikë tregon se keni bërë shumë mirë. Arritja në tri finale të Ligës së Kampionëve është diçka e jashtëzakonshme. Nuk do të isha i lumtur nëse do të mendoja se mund të kisha bërë më shumë. A mund të kishte bërë dikush tjetër më mirë? Ndoshta, por jo unë. Pjesa tjetër do të gjykohet nga njerëzit. Jam i sigurt se shumica e opinionit e vlerëson të mirë atë që kemi arritur”.
Duke kujtuar kohën e tij te Liverpool, gjermani e përkufizoi klubin nga “Anfield” si “më të mirën që mund të kishte imagjinuar. Sa më shumë rritesh, koha të rrëshqet nëpër gishta dhe ti shikon prapa e mendon: Kjo ishte e mrekullueshme. Nuk do të harroj kurrë se kam qenë në klubin më të mirë që mund ta imagjinoja, në një qytet shumë të veçantë.
Kam marrë shumë email-e dhe letra në muajt e fundit. Nëse do t’iu përgjigjesha të gjithave do të isha këtu deri në vitin 2028, kështu që kërkoj falje që nuk mund ta bëj këtë. Disa nga letrat më bënë të kuptoj se çfarë do të thotë ky klubi për shumë njerëz”.