Nga Ronaldo te Beckham, nga Zidane te Ramos e Figo, dalin në ankand dollapet që përdornin yjet e Real Madrid në Bernabeu

21 Nëntor 2024
11:28
Telesport
back button

Shtëpia e famshme britanike e ankandeve Sotheby’s njoftoi shitjen e 24 dollapëve të përdorura nga ikonat e futbollit botëror që kanë veshur fanellën e Real Madrid. Mes tyre edhe ato të Cristiano Ronaldo, David Beckham, Zinedine Zidane, Roberto Carlos, Sergio Ramos, Luis Figo, Karim Benzema dhe shumë të tjerë.

Në fakt, ankandi ka nisur më 12 nëntor dhe do të zgjasë disa javë. Secili prej këtyre dollapëve, të çmontuar me rinovimin e Santiago Bernabeu, mban foton, emrin dhe numrin e lojtarëve më të rëndësishëm që kanë veshur fanellën e lavdishme të Real në epokën e “Galacticos” dhe në atë më të fundit.

Ankandet individuale filluan me shumën minimale 13 mijë euro për dollap.  Dhoma e zhveshjes së Santiago Bernabeut të vjetër dëshmoi 544 ndeshje të “los blancos” në më shumë se 20 vjet. Në këtë periudhë, Real fitoi njëzet tituj, duke përfshirë edhe gjashtë Champions League dhe gjashtë kampionate spanjolle.

Një mozaik i gjerë tre metra i Santiago Bernabéu dhe dyert metalike të stadiumit do të dalin gjithashtu në ankand, me çmime përkatësisht 12,000 dhe 8,000 £. Një pjesë e të ardhurave nga ankandi do t’i dhurohet Fondacionit Real Madrid. Sotheby’s ka zyra në qytetet kryesore në mbarë botën si Nju Jork, Hong Kong, Madrid, Paris, Gjenevë, Milano, Amsterdam, Doha, Cyrih dhe Toronto.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit