Kombëtarja e Shqipërisë në basketboll per meshkuj u mund thellë 99-63 nga Austria në ndeshjen e fazës para-eliminatore të Kampionatit Botëror 2027. Sfida e luajtur në sallën sportive Dhimitraq Goga në Durrës u dominua gjatë gjithë kohës nga kundërshtarët austriakë.
Miqtë u shkëputën gradualisht nga perioda në periodë, duke e kontrolluar ndeshjen. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Erkand Karaj ishin të pafuqishëm të përballonin ritmin e diktuar nga miqtë, që e merituan fitoren dhe kryesojnë Grupin C.
Për Shqipërinë kjo është humbja e dytë në grup pas asaj ndaj Armenisë në shkurt të këtij viti. Për pasojë, kombëtarja kuqezi ndodhet e fundit në grupo, ndërkohë që dy takimet e radhës do t’i luajë në shkurt të vitit të ardhshëm, por gjasat për kualifikim janë të pakta.