Në kujdesin e FSHF-së u organizua një turne futbolli festiv me rastin e 80-vjetorit e Çlirimit të Atdheut, 112-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe përvjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura.
Në këtë aktivitet të zhvilluar në Shtëpinë e Futbollit morën pjesë katër ekipe; Akademia e Forcave të Armatosura, Akademia e Policisë dhe Sigurisë, Kombëtarja shqiptare e futbollit amator dhe Rinia El U-19. Qëllimi kryesor i këtij turneu ishte të nderoheshin dhe përkujtoheshin heronjtë dhe dëshmorët që sakrifikuan jetën për atdheun.
Pas hedhjes së shortit, ndeshjet gjysmëfinale u zhvilluan midis Akademisë së Forcave të Armatosura dhe Akademisë së Policisë, si dhe Kombëtares shqiptare të futbollit amator kundër Rinisë El U-19. Akademia e Forcave të Armatosura fitoi 3-0 ndaj Akademisë së Policisë, ndërsa Kombëtarja shqiptare e futbollit amator mundi ekipin e Rinisë El U-19 me rezultatin 2-0.
Në finalen e turneut u përballën Kombëtarja shqiptare e futbollit amator dhe Akademia e Forcave të Armatosura. Ndeshja përfundoi në barazim 0-0 në kohën e rregullt, ndërsa nga penalltitë triumfoi Kombëtarja shqiptare e futbollit amator me rezultatin 4-1.
Pas përfundimit të ndeshjeve, u mbajt një ceremoni e veçantë, ku morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, Komandant/Rektor i Akademisë së Forcave të Armatosura, Gjeneral Brigade Bardhyl Nuredinaj, Drejtori i Drejtorisë së Operacioneve dhe Stërvitjes ne Shtabin e Përgjithshëm të FA, Kolonel Fatmir Neziraj si edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve.
Gjatë fjalës së tij, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, shprehu dëshirën që ky aktivitet të kthehet në një traditë dhe në të ardhmen të organizohen aktivitete akoma më të bukura. Ai falënderoi të gjitha ekipet pjesëmarrëse për angazhimin dhe kontributin e tyre.
Edhe Komandanti Nuredinaj falënderoi FSHF-në dhe Sekretarin Shulku për gatishmërinë e kontributin për organizimin e këtij eventi dhe vlerësoi angazhimin e të gjithë pjesëmarrësve në këtë turne të veçantë.
Në përfundim, skuadrave iu ndanë medalje dhe kupa, ndërsa u shkëmbyen edhe dhurata mirënjohjeje për organizimin e suksesshëm të këtij eventi.