Mbrojtësi i Real Madrid, Dani Carvajal, foli për Real Madrid TV për përgatitjet që po bën skuadra për finalen e Champions League kundër Borussia Dortmund. Sfida do të luhet më 1 qershor në “Wembley”.
“Mezi presim të vijë finalja. U bënë disa javë që kur fituam La Ligën. Duhet të shijojmë çdo moment të këtyre ditëve. Tashmë vlen shumë përvoja. Në finalen e parë Champions nuk munda të fle një natë më parë. Nuk e di se si ia kalova gjatë gjithë lojës”, thotë Carvajal, 32 vjeç.
Por tani për të janë 6 finale: “Të luash finalen e gjashtë në 10 vjet është e paimagjinueshme. Nuk mund ta imagjinoja kurrë këtë gjë kur erdha nga Leverkusen. Mezi pres të ngre Ligën e Kampionëve të shtunën”.
Në lidhje me dëmtimet e shumta që pati Real Madrid këtë sezon, Carvajal shtoi: “Ne kishim tre lëndime të tri titullarëve si Courtois, Militao dhe Alaba, ndaj të gjithë u përshtatëm me nevojat. Kjo tregon për një grup fitues. U përshtatëm mirë në pozicione që nuk ishin tonat, i dhamë një dorë trajnerit dhe e bëmë më të lehtë.”
“Ne të gjithë do të shkojmë në Londër së bashku. Duhet ta fitojmë këtë ndeshje dhe dy muaj më vonë të mendojmë për ndeshjen tjetër. Nuk e konsiderojmë veten favorit. Është 50-50. Duhet të bëjmë gjëra shumë mirë për të fituar”, tha Carvajal.