Andriy Lunin në karantinë.
Jo, nuk ka të bëjë fare me Covid-in.
Por portieri i Real Madridit, i cili pas dy ditësh do të marrë pjesë në finalen e Champions League kundër Borussia Dortmundit, ka disa ditë që është prekur nga gripi dhe askush te Los Blancos nuk dëshiron të rrezikojë që në dhomat e zhveshjes të zhvillohet një epidemi.
Dhe kështu portieri ukrainas, siç raportojnë disa media spanjolle, do të udhëtojë i vetëm për në Wembley, vendi i finales.
Lunin këto ditë po stërvitet vetëm, për të mos i ngjitur shokëve të ekipit virusin e gripit që e ka prekur. Për momentin ai është ende me ethe, por ka optimizëm se gjithçka do të kalojë deri në 1 qershor.
Dje Lunin tregoi shenja të qarta rikuperimi, edhe pse nuk e ka kaluar plotësisht gripin. Megjithatë, ai duhet të jetë titullar në ndeshjen kundër Borussia Dortmundit.