Marrëdhënia me Deschamps dhe e ardhmja me Zidane, rrëfimi i plotë i Mbappe pas rikthimit në kombëtare

18 Mars 2025
8:34
Telesport
back button

Pas dy mungesash radhazi mes tetorit dhe nëntorit, Kylian Mbappé rikthehet për të veshur fanellën e kombëtares franceze. Sulmuesi i Real Madrid, duke folur për këtë rikthim, ka dhënë një intervistë për “Le Parisien” ku diskutoi temat e nxehta të momentit.

Më ka munguar prania në kombëtare dhe të vesh këtë fanellë. Është kënaqësi të kthehem. Të gjithë e dinë se çfarë do të thotë kjo skuadër për mua. Jam i lumtur që kthehem, kam të njëjtën energji dhe të njëjtën dëshirë për të ndihmuar në fitoren e kombëtares franceze“, tha Mbappe.

Ai ka konfirmuar se nuk ka patur asnjë konflikt me trajnerin Deschamps apo ndarje gjatë kohës që ka munguar në kombëtare. “Po të kishte pasur një ndarje nuk do t’i përgjigjesha kurrë thirrjeve të trajnerit. Të gjithë më njohin. Nëse ka një ndarje me dikë, nuk mbaj kontakte”, shtoi Mbappe.

Më tej, ai shtoi: “Kam pasur gjithmonë respekt për trajnerin. Ai ishte trajneri im i vetëm në kombëtaren franceze dhe bëri thirrjen time të parë. Së bashku kemi pasur suksese dhe marrëdhënia jonë nuk mund të përfundojë në koshin e plehrave për shkak të dy-tre mosmarrëveshjeve që për më tepër nuk janë serioze”.

Për kaosin mediatik të krijuar për shkak të mungesës, ai tha: “Këto gjëra ndodhin kur je ai që je dhe përfaqëson atë që përfaqëson. Mendoj se njerëzit, në mungesë të mirëkuptimit, donin të mbushnin një boshllëk. Shkruanin gjëra të rreme, flisnin në emrin tim se nuk doja të kthehesha. Është qesharake sa nuk meriton as të përmendet”.

Në fund, Mbappe foli edhe për ardhjen e mundshme të Zidane në kombëtare: “Nuk e di se kush do ta pasojë atë. Nuk do të flas për këtë sepse nuk është roli im. Është një president i Federatës që do ta marrë këtë vendim. Të gjithë flasin për Zidane, kështu që le të mos pretendojmë se jetojmë në një shpellë dhe nuk e dimë se çfarë po ndodh, por nuk më takon mua të flas për këtë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit