Duka: “Nuk doja bashkëpunimin me Serbinë për organizimin e Euro 2027 për U-21, por ishte rruga e vetme. Nuk harroj plagët e vjetra. Shqipëria edhe Kosova bashkë? Flisni me qeveritë, jo me mua”

2 Qershor 2024
16:48
Telesport
back button

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka zhvilluar një intervistë me gazetarin Berat Buzhala në ambientet e stadiumit “Air Albania”. Në një intervistë të gjatë, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar u ndal në shumë tema.

Presidenti tregoi rrugëtimin e tij në krye të FSHF-së, transformimin e infrastrukturës sportive në vendin tonë, ecurinë e Kombëtares kuqezi dhe sukseset në arenën europiane.

Një nga çështjet më të diskutuara ishte edhe ajo e kandidimit të përbashkët me Federatën Serbe të Futbollit për organizimin e finaleve të EURO U-21 në vitin 2027. Presidenti Duka theksoi edhe njëherë që mundësia e bashkëpunimit me Federatën Serbe të Futbollit ishte e vetmja mënyrë, pasi shanset për të kandiduar të vetëm nuk ekzistonin për arsye të stadiumeve akoma të papërfunduara.

Gjithashtu ai shtoi se as Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera fqinje nuk i plotësojnë kriteret e infrastrukturës dhe aplikimi ishte i pamundur ne bashkepunim me ata.

Së fundmi kemi aplikuar për të qenë organizatorë të Kampionatit Europian të grupmoshës U-21 në Shqipëri. Nga ky aplikim vetëm katër Federata shfaqën interes, Shqipëria, Belgjika, Turqia dhe Serbia. Shanset që Shqipëria apo Serbia të fitonin të vetme kundër Turqisë apo Belgjikës ishin shumë të vogla. Mundësia e bashkëpunimit me Kosovën nuk ishte, pasi Kosova nuk plotësonte kushtet në nivel infrastrukturor, nuk i ka këto mundësi as Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Në kuptimin pragmatist, gjëja më e mirë ishte që të bashkojmë garën me Federatën Serbe për ta patur Kampionatin Europian në Shqipëri dhe Serbi.

Ne jemi akoma në fazën e konkurimit, ndërsa Belgjika dhe Turqia kanë aplikuar vetë. Nuk jemi mjaftuar vetëm me benefitin organizativ, por edhe me atë sportiv. Kombëtarja jonë e U-21 nuk është kualifikuar asnjëherë në një kompeticion të tillë dhe ne mund të sigurojmë pjesëmarrjen e ekipit tonë në finalet e këtij turneu. Ideja ishte e të dyja palëve. Ne e kemi analizuar por mendoj që edhe ata e kanë bërë, edhe në këndvështrimin politik dhe mesazhin që mund të japi ky bashkëpunim.

Unë e kam konsideruar si një armë të fortë për ta fituar këtë garë e për ta siguruar këtë kampionat, sepse mesazhi që jep është shumë i rëndësishëm. Është mesazh i paqes, tolerancës, bashkëpunimit dhe bashkëjetesës. E di mirë që dikush ka të drejtë të preket nga kjo, sepse plagën e kemi të freskët, por ne duhet të shohim më tej, duhet të mësohemi të bashkëjetojmë. Ne kemi në dorë të kontribuojmë që fëmijëve, nipërve e mbesave t’i lemë një botë sa më të paqme.

Nëse të gjithë punojnë në këtë drejtim, konfliktet do të jenë më të vogla. Patjetër, ne nuk e harrojmë atë çfarë ka ndodhur dhe sa më shumë nxjerrim mësime se çfarë ka ndodhur, duhet të luftojmë për paqe. Sepse unë mendoj se do të ishim më mirë nëse Adem Jasharin do ta kishim këtu sesa ta këndonim, por nuk është faji jonë që iku, unë e di mirë këtë, është faji i të tjerëve, por nëse të gjithë do të bënin këtë lloj kontributi, mbase nuk do të kishte ndodhur, sepse shqiptarët e Kosovës nuk cënuan askënd, ishin në tokën e vet dhe nuk kishte pse të ndodhte. Ka pasur shumë reagime nga tifozët por edhe nga individë, gjithashtu edhe para familjes time të Federatës së Futbollit.

Qëndrimi im për Kosovën dhe Federatën e Kosovës ka qenë gjithmonë mbështetës me projekte reale e jo me llafologji boshe. Që kur ishte President Sabri Hashani, kur nuk ishte anëtar i UEFA-s dhe FIFA-s, në çdo trajnim që ka bërë Federata e Futbollit, ka pasur pjesën e vet, trajnerë, arbitra, gjithmonë kanë qenë për Federatën. Kemi ofruar asistencë dhe lobim më të gjithë energjinë tonë për Federatën e Kosovës. Nuk kam dashur ndonjëherë të flas, por duke qenë që u hap kjo temë diskutimi, mendoj që duhet t’i rikujtojmë.

Lobimin që kemi bërë për pranimin e Kosovës në UEFA, bashkë me mikun tim të përjetshëm dhe legjendën Fadil Vokrrin, ka qenë shumë i madh. Mendoj që ka qenë vetëm kontributi jonë dhe i Federatës së Kosovës që Kosova të pranohet në UEFA. Nuk kemi pasur asnjë mbështetje politike për ta realizuar, të gjithë të tjerat janë llafologji.

Ka qenë vetëm lobim sportiv i joni, i suksesshëm dhe kjo marrëdhënie ka vazhduar edhe më tej, vazhdon edhe sot. Jam shumë i lumtur që raportet tona janë më shumë se vllazërore dhe qëllimet tona janë, ky është mendimi im që i shërbejnë edhe çështjes politike në Kosovë edhe pranimit dhe integrimit të Kosovës sepse mesazhi jonë është Europian.

Ne me sjelljen tonë mund të ndikojmë në ndryshimin e qëndrimit të serbëve, pa dyshim që nuk i urdhërojmë, por bashkëpunimi mund të ndikojë dhe Kosova e i gjithë populli shqiptar të përparojë.

Kombëtarja e Kosovës –”Në të dy këndvështrimet mund të gjesh argumenta pro dhe kundër. Shpesh edhe unë mendoj që më mirë një Kombëtare, po të ishim bashkë mbase do të ishte një treg më i madh dhe një potencial më i madh, më shumë forca. Kombëtarja e Kosovës ka futbollistë me shumë cilësi, nëse do ishim bashkë padyshim që do të ishim akoma më të mirë.

Por ka edhe argumenta ndryshe se pse duhet të jemi dy dhe në fund të fundit nuk jemi ne ata që vendosim, këto janë thjesht dëshira dhe opinione, pasi vendosin ligjet dhe rregullat, kufijtë shtetërorë. Fatkeqësisht apo fatmirësisht, Kosova dhe Shqipëria kanë dy shtete të ndryshme, me ligje të ndryshme dhe ligjet parashikojnë që Federatë quhet ajo që organizon aktivitete sportive brenda territoreve, brenda kufijve shtetërorë të një vendi dhe ne quhemi dy shtete.

Opinioni dhe dëshira ime është që të ishim një shtet. Unë kam shumë respekt për të gjithë lojtarët që luajnë me fanellën e Kosovës, futbollistë me kualitet duke filluar nga porta e deri në sulm. Padyshim që do të ishte kënaqësi po të ishin në ekipin Kombëtar dhe jam shumë i sigurt që do të na ndihmonin akoma më shumë.

Lojtarët po bëjnë mirë në Kosovë, pavarësisht se në edicionin e fundit nuk patën rezultatin e pritur nga publiku, por i kanë mundësitë për të pasur rezultat dhe unë jam shumë i bindur me zgjedhjet e reja, me trajnerin Foda do ndryshojë diçka pozitive dhe ekipi do të jetë akoma më i konsoliduar dhe me më shumë rezultate.

A ka pasur tendenca politike për të larguar nga FSHF? – “Nëse do t’i quajmë konflikte ato të miat me politikën, nuk janë individuale, sepse unë nuk jam një natyrë konflikuale, por përpiqem të jem bashkëpunues sidomos me qeverinë gjithmonë, sepse është ajo që duhet të mbulojë dhe ndërtojë politika zhvillimore për çdo fushë të jetës, përfshirë edhe Federatën që unë drejtoj.

Biznesi, politika e ka tendencën që të kontrollojë gjithçka dhe mbase me një person si unë nuk ka arritur të kontrollojë gjithçka brenda Federatës dhe ka lindur konflikti që herët me qeverinë demokratike, apo ndonjëherë edhe me qeverinë socialiste.

Por prapë kemi gjetur mënyra dhe rrugën e bashkëpunimit për të mirën e futbollit dhe kompromiset nëse bëhen, le të themi politike, duhet t’i bësh, nuk janë individuale, por janë kompromise për shkak të detyrës, misionit dhe në fund të fundit ti përfaqëson një komunitet. Duhet të marrësh maksimumin nga çdo futbollist në fushë, por edhe nga qeveria.”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit