Milan, dëgjoji këshillat e Sacchit: Klubi vjen përpara lojtarëve, ja si mund të kthehesh në majë

5 Prill 2025
13:18
Alfred Lleshi
back button

Trajneri me përvojë dhe aktualisht opinionist, Arrigo Sacchi, foli për “Gazzetta dello Sport” në lidhje me zgjedhjet që Milani duhet të bëjë për t’u rilançuar në prag të sezonit të ardhshëm: “Kam menduar gjithmonë se klubi, me historinë dhe idetë e tij, vjen përpara trajnerit.

Po kështu, trajneri vjen përpara lojtarëve. Kjo do të thotë që roli vendimtar duhet të jetë ai i pronësisë së klubit. Është thelbësore, që gjithçka të funksionojë dhe ‘motori’ të ecë pa probleme, që të ketë harmoni të plotë mes të gjitha komponentëve të klubit.

Po jap një shembull, që të kuptoheni më mirë: Berlusconi ishte njeriu që jepte drejtimin, Galliani kujdesej që kjo linjë të ndiqej, e njëjta gjë vlente edhe për Braida. Pastaj isha unë, trajneri, që në harmoni të plotë me drejtuesit kisha detyrën t’i transformoja këto ide në lojë.

Kur Berlusconi më tha që donte të fitonte dhe të bindnim me lojë, se për të futbolli ishte spektakël dhe objektivi i tij ishte të argëtonte publikun, menjëherë m’u bë e qartë çfarë duhej të bëja: të propozoja një lojë inovative, të bukur, tërheqëse dhe që të ngazëllente.

Dhe ky sukses ishte i mundur, sepse kishte një përputhje të plotë vizionesh mes drejtuesve dhe trajnerit, mes administratorit të deleguar (Galliani) dhe drejtorit sportiv (Braida), mes trajnerit dhe lojtarëve.

Problemet e Milanit këtë sezon janë pasojë e gabimeve të bëra verën e kaluar. Duke e thënë këtë nuk po zbulojmë ndonjë sekret. Me sa duket, nuk kishte kimi mes atyre që duhet të punonin bashkë, aq sa Fonseca, sapo pati vështirësitë e para, u shkarkua.

Njerëzit që janë pjesë e një klubi duhet të lundrojnë në të njëjtin drejtim, me objektivin për të arritur cakun përpara rivalëve. Nëse secili shkon në drejtimin e vet dhe mundohet të shpëtojë vetëm veten, përfundimi është se nuk do të arrihet askund.

Ja pra, pikërisht sepse e dua shumë Milanin, shpresoj që tani, në këtë periudhë që është vendimtare për përcaktimin e projektit të sezonit të ardhshëm, të mos bëhen gabimet e të kaluarës së afërt dhe, mbi të gjitha, të investohet te njerëz të besueshëm: drejtori sportiv, trajneri dhe lojtarët. Të gjithë të bashkuar dhe me një ide të qartë, që vjen nga maja e klubit, mund të mendohet për rikthimin në madhështi”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit