Gullit “kryqëzon” De Jong: Ai luan keq, është si një fantazmë në kombëtare

4 Qershor 2024
11:37
Alfred Lleshi
back button

Ruud Gullit, legjenda 61-vjeçare e futbollit holandez dhe botëror, me të kaluar te Milani, nuk bën asnjë “lëshim” për Frenkie De Jong, i thirrur nga kombëtarja portokalli në funksion të Kampionatit Evropian të kësaj vere.

Lojtari nuk është rikuperuar plotësisht nga ndrydhja e këmbës së djathtë, një nga dëmtimet e shumta që shënjoi sezonin e tij te Barcelona. Gjithsesi, Gullit nuk e konsideron atë themelor për kombëtaren holandeze.

Në deklaratat e tij për “Ziggo Sport TV”, ish-futbollisti i shquar atakoi direkt De Jong. Para së gjithash, duke kujtuar përvojën me Johan Cruyff: “Do të them diçka për Frenkie. E fillova te Feyenoord duke luajtur si anësor i djathtë.

Më pas Johan Cruyff më tha: Ruud, duhet të përmirësosh lojën e ekipit tënd, të ndihmosh shokët tuaj të skuadrës. Nuk e kuptova kurrë, por a e dini pse ma tha këtë… Sepse kur përmirëson lojën e shokëve të skuadrës, luan mirë. A e bën Frenkie gjithmonë këtë? Jo, Frenkie luan keq. Ai nuk është në nivelin e cilësisë që ka”.

Jo vetëm kaq, Gullit e vuri fokusin në Kupën e Botës 2022, në Katar: “Nëse shikoni De Jong gjatë Kupës së Botës së fundit, ai ishte si një fantazmë. Duhet të marrim masa për këtë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit