Buffon: Shoh një Juventus të bashkuar, më parë kishte më tepër vështirësi

7 Prill 2025
8:04
Alfred Lleshi
back button

Gianluigi Buffon, shef delegacioni i kombëtares italiane dhe ish-kapiten i Juventusit, foli për DAZN pas barazimit mes bardhezinjve dhe Romës:

Për Juventusin aktual: “Duke parë ndeshjen në ‘Olimpico’, më duket sikur djemtë bardhezinj që zbresin në fushë kanë më shumë për t’i thënë njëri-tjetrit, për të ndarë. Më duket sikur kanë një lidhje mes tyre dhe ecin të gjithë në të njëjtin drejtim. Më parë i shihja më në vështirësi, nuk shihja një mënyrë të përbashkët të të menduarit, më dukeshin më të shkëputur nga njëri-tjetri”.

Për Svilar: “Ajo që bëri sonte konfirmon atë që është thënë për të prej dy vitesh. Ky portier bën gjëra jashtë normales”.

Për çështjen e shumë kapitenëve te Juve: “Sigurisht që është diçka e pazakontë. Gjëja e parë që duhet bërë është të njohësh historinë e klubit. Te Juve, sapo hyn në dhomën e zhveshjes, sheh fotot e kapitenëve në 100 vite histori. Kjo duhet të të bëjë të mendosh se një kapiten duhet të zgjidhet. Sepse një kapiten është ai që, në momentet delikate ose kur duhet të transmetohet mesazhi i trajnerit, nuk duhet të neutralizohet, përkundrazi, duhet të mbështetet dhe të ndihet si pika nevralgjike e skuadrës”.

A ka sjellë Tudor “juventinitetin” që mungonte: “Është pak të thuash vetëm kaq. Mendoj se Igor tregoi edhe në Romë atë që transmeton, energji dhe pozitivitet në grup. Pikërisht për këto gjëra, grupi bardhezi kishte shumë nevojë”.

Këshilla për Kean: “Të bëjë atë që e bën të lumtur, të japë maksimumin. Ka lojtarë që kanë nevojë për mjedise të caktuara që të performojnë më mirë. Ndoshta Moise e ka gjetur këtë te Fiorentina, ndaj duhet ta marrë seriozisht këtë eksperiencë”.

Për Fagioli: “Arrin një moment kur edhe djali i rritur në akademi nuk do të ndjehet më si ‘fëmija që ende duhet të rritet’. Ka nevojë të ndihet pjesë e rëndësishme si titullar. Fagioli kishte nevojë për këtë dhe bëri mirë që lëvizi. Pastaj, si e ka menaxhuar Juve, nuk është puna ime”.

Për Thiago Motta: “Mua më dukej ideja më e mirë për trajner të Juventusit. Dhe ende e mendoj kështu. Kjo ndalesë do t’i bëjë mirë në rrugëtimin e tij si trajner, që të rritet më tej. Kam shumë besim tek e ardhmja e tij”.

Për Atalantën: “Më ka ndodhur një vit të isha gati të shkoja atje. Pastaj, si gjithmonë, më përfshinë me grupin dhe nuk shkova. Mendoj se këtë vit Atalanta dhe qyteti nuk i kanë përtypur mirë daljet publike të Gasperinit. Ai ka mënyrat e veta të të qenit, por këtë vit nuk ia doli t’i menaxhojë gjrat si më parë”.

Për Retegui: “Është profesionist dhe njeri i shkëlqyer. Ndoshta, kur skuadra ka nevojë dhe ai dëshiron më shumë besim, e ka të vështirë ta fshehë zhgënjimin”.

A mund të qëndrojë Tudor te Juve: “Nëse arrin të sigurojë Champions-in dhe iu jep sinjale të mira drejtuesve, do të ishte zgjedhje logjike”.

Për Interin dhe amicien e tij për të fituar gjithçka: “Kur ke një skuadër të tillë, objektivi është të shkosh sa më larg në çdo front. Çështja është mendore, kur shkon në avantazh me dy gola, Interi nuk duhet ta lëshojë lojën. Nëse ndodh, nuk është çështje lojtarësh, por rënie përqendrimi”.

Lufta për titull: “Për mua nuk është diçka e re. Që nga dita e parë e kampionatit mendoj se ka qenë betejë Napoli-Inter. Por nëse arrin kokë më kokë me Conte në fund të kampionatit, rrezikon shumë. Ai ka një aftësi të jashtëzakonshme për ta motivuar dhe bindur ekipin e tij”.

Për djalin e tij dhe fëmijët e ish-futbollistëve: “Është e vështirë, shumë. E kam përjetuar me djalin tim dhe e përjetoj ende. Por nëse je i fortë dhe kalon vështirësitë, e fiton betejën. Është një provë darviniane”.

Për Daniel Maldini: “Të gjithë ne kemi simpati për Danielin, ka cilësi që i mungojnë kombëtares. Luan për Atalantën, skuadrën e tretë në Serie A. Nuk shoh pse të mos luante kundër Gjermanisë”.

Për djalin e tij që luan me Çekinë: “Një zgjedhje e drejtë dhe logjike për rrugëtimin e tij. Çekia gjithmonë ka qenë konkurruese”.

Për Tonalin: “Reagim i madh, energji dhe qëndrueshmëri. Premier League i ka dhënë një nivel më të lartë”.

Për Yildiz dhe interesin nga Premier League: “Nuk e di, nuk di as si është Juve ekonomikisht. Ajo që di është se kur shohim një veprim të jashtëzakonshëm te Juventusi aktual, e bën vetëm ai”.

Për Milanin që kërkon drejtor sportiv: “Është një rol thelbësor. Një drejtor i mirë di të ndërmjetësojë, të këshillojë trajnerin dhe lojtarët. Për mua, Milani ka një skuadër pak më të dobët se Interi, por jo shumë. Dhe në fakt është skuadra e vetme që nuk ka humbur asnjë nga 3-4 përballjet direkte me zikaltrit”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit