Mbrojtësi bardhezi Pierre Kalulu u intervistua gjatë emisionit “La Domenica Sportiva”, ku analizoi barazimin e Juventusit të tij në “Olimpico” kundër Romës. Këto janë deklaratat e tij:
Si e vlerësoni këtë barazim?
Në pjesën e parë ishim shumë mirë fizikisht, në duele, edhe për mënyrën si e ndërtuam lojën me topin. Roma pati pak raste dhe ne e menaxhuam mirë lojën. Fakti që na shënoi menjëherë në pjesën e dytë krijoi disa probleme, por e rimorëm veten menjëherë. Verdhekuqtë kishin shumë besim, kjo u pa, por mendoj se të gjithë ishim brenda në ndeshje për të bërë diçka më shumë. Mendoj se merituam më shumë.
Mbetet keqardhja për golin e pësuar…
Po, kur je mbrojtës përgatitesh për të mos pësuar gol. Është gjithmonë diçka që të dhemb pak në nivel personal, sepse mund të bënim më shumë, të ushtronim më shumë presion, të reagonim më shpejt. Mund ta rishikojmë ndeshjen me qetësi, me gjakftohtësi, të shohim çfarë kemi bërë mirë, çfarë mund të kishim përmirësuar, dhe të ecim përpara.
Tani keni arritur me pikë Bologna…
Është gjithmonë pozitive të marrësh pikë, tani kemi tri ndeshje të përballueshme, duhet të japim gjithçka për vendin e katërt. Pastaj do të shohim çfarë bëjnë edhe të tjerët.







