Në konferencën për shtyp të mbajtur dje, Pep Guardiola bëri një analizë të sezonit aktual të Manchester City, pa i fshehur vështirësitë e hasura. “FA Cup” është trofeu i vetëm i mbetur për t’u synuar, pas eliminimit të dhimbshëm nga Liga e Kampionëve, rrëshqitjes në kampionat dhe eliminimit nga “Carabao Cup”.
I përballur me shumë dëmtime, trajneri spanjoll, në prag të ndeshjes me Crystal Palace, deklaroi: “Gjithmonë të dëmtuar, gjithmonë të dëmtuar… Ka qenë kështu gjatë gjithë sezonit, por jemi përshtatur.
Nëse shikoni pozicionin tonë aktual, është një katastrofë, por mund të kishte shkuar edhe më keq. Jam vërtet i kënaqur me mënyrën si e kemi menaxhuar situatën dhe me faktin që jemi ende në garë për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve”.
Në fakt, “Citizens” ndodhen vetëm një pikë larg Newcastle dhe vendit të pestë, i cili është i fundit që siguron pjesëmarrjen në kompeticionin elitar europian për klube.
Megjithatë, një moment i saktë i deklaratës së tij tërhoqi vëmendjen e mediave dhe lidhet me merkaton e verës që po afron: “Nuk e di çfarë do të ndodhë. Klubi sigurisht që është duke punuar tashmë, por nuk mund të kemi 45 lojtarë në skuadër.
Nuk është e qëndrueshme as emocionalisht dhe as për grupin. Përveç Kevin De Bruyne, të gjitha kontratat e tjera duhen vlerësuar. Do të shohim deri në fund si do të paraqiten gjërat, si do të jemi ne, dhe pastaj do të marrim vendimet”.
Qëllimi i klubit anglez është që të rishikojë thellësisht skuadrën aktuale, me synimin për ta reduktuar dhe bërë më funksional grupin nën drejtimin e Guardiolës.







