Në miqësoren e zhvilluar ndaj Ukrainës, kombëtarja e Gjermanisë barazoi 0-0, duke mos lënë shumë gjurmë, ndërkohë që Euro 2024 nis pas 10 ditësh. Një rezultat që nuk ka kënaqur trajnerin Julian Nagelsmann, që ka folur për paraqitjen e të tijve.
“Natyrisht që do të preferoja të fitoja, por e rëndësishme është se unë do të doja të shihja një ekip që dëshiron të fitojë. Dhe djemtë e dëshmuam këtë në fushë pavarësisht rezultatit”, u shpreh Nagelsmann.
Në këtë ndeshje nuk luajti Sané dhe trajnei sqaron situatën me sulmuesin: “Ai duhet të stërvitet këtë javë dhe të luajë kundër Greqisë. Ai nuk e ka më ritmin e ndeshjes me kombëtaren. Nuk do të luajë dot 90 minutat e plota në çdo ndeshje për shkak të një problemi me pubalgjinë. Ai sigurisht që ka shansin për të fituar një vend në formacion”.
Gjermania ka edhe një miqësore me Greqinë pas disa ditësh: “Duhet të jemi në gjendje të dallojmë midis elementeve emocionale dhe kontekstuale. Ndeshja e 14 qershorit është më e rëndësishmja (ndeshja hapëse kundër Skocisë). Megjithatë, fitoret janë më të mira se barazimet ose humbjet. Ne do të shkojmë për të luajtur kundër Greqisë me synimin për të fituar”.
“Gundogan? Ka shumë njerëz që spekulojnë për shumë gjëra. Ilkay ka luajtur mirë. Ai ka pasur shumë minuta këtë sezon. Ne kemi nevojë për të në turne, sepse ai me të vërtetë mund të ndihmojë në ritmin e lojës sonë. Ai siguron qetësi dhe strukturë dhe është një lojtar që mund të përbëjë një kërcënim në portë”, tha Nagelsmann.