A do të rinovojë me Milanin? Ku mund të shkojë? Rebusi i madh për të ardhmen e Maignan

16 Prill 2025
7:42
Alfred Lleshi
back button

E ardhmja e Mike Maignan te Milani është më e pasigurt se kurrë. Klubi kuqezi po reflekton mbi të ardhmen e portierit, aq sa oferta për rinovimin e kontratës që ndodhet në tryezën e “gardianit” francez është e qartë: 4.5 milionë euro në sezon, jo më 5 milionë. Pra, një shifër më e ulët, pranoje ose lëre. Tani mbetet në dorën e ish-portierit të Lille ta pranojë ose refuzojë, dhe më pas të kuptohet se cili do të jetë destinacioni i mundshëm.

Aktualisht, portieri nuk është shprehur qartë: “Unë ndihem mirë te Milani, jap gjithçka për fanellën sa herë që e vesh dhe çdo ditë. Në këtë moment, për të qenë i sinqertë, nuk dua të flas për kontratën. Dua të flas për futbollin dhe të gjej balancën e duhur. Milani, skuadra dhe të gjithë meritojnë më shumë. Situata ime personale nuk është gjëja më e rëndësishme për momentin”.
Megjithatë, nga burime pranë tij mësohet se nuk e ka pritur mirë ofertën me ulje, madje zëra thonë se kishte pritur shifra më të larta nga klubi.

Kjo ngre një pikëpyetje tjetër: ku mund të transferohet, në rast largimi? Chelsea është në kërkim të një portieri, edhe pse emri i parë në listë është Mile Svilar i Romës, nëse ky i fundit nuk rinovon me verdhekuqtë. Në Premier League mbetet për t’u parë nëse do të ketë lëvizje të tjera të rëndësishme në portë. PSG po përballet me rinovimin ende të pafirmosur me Gianluigi Donnarumma.
Në çdo rast, Maignan dhe Milani mund të vazhdojnë bashkë, nëse arrihet shpejt një marrëveshje për firmë, që dikur dukej shumë afër, por që tani është më larg nga sa mendohej.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit