Turneu i Xhiros së Italisë së vitit 2027 mund të nisë në Australi. Në një çiklizëm gjithnjë e më të globalizuar, ku Grand Tours kanë tendencë të përqendrohen në nisje jashtë kufijve kombëtarë, përvoja në Oqeani do të ishte vetëm një kapitull i ri për t’u zbuluar.
Këtë gjë e konfirmojnë organizatorët e Xhiros së Italisë, por edhe fakti se këtë vit, tri etapat e para u zhvilluan në Shqipëri tregojnë se gjithcka është e mundur. Sipas RCS Sport, Giro d’Italia po vlerëson mundësinë e sjelljes së eventet të madh në Australi në vitin 2027.
Vendi më logjik është Perth, në Australinë Perëndimore, sepse është më afër Evropës, por edhe Melbourne dhe Sydney do të ishin të interesuar. Ato rajone janë gjithmonë në kërkim të ngjarjeve të mëdha . Lajmi u konfirmua nga drejtori i Giro d’Italia, Mauro Vegni, i cili nuk e mohoi propozimin.
“Nuk po përjashtojmë asnjë mundësi. Është e vështirë nga një pikëpamje praktike dhe logjistike, por nuk i themi jo askujt paraprakisht. Gjithçka është e mundur, por duhet të studiojmë me kujdes interesat, të kuptojmë se cili është qëndrimi i UCI-t. Kemi shumë kërkesa dhe po i vlerësojmë të gjitha”, tha Vegni.
“Jemi të gatshëm të flasim me të gjithë. Sigurisht që ka interes, por siç thashë, ka shumë probleme për të cilat nevojitet një zgjidhje“, shtoi Vegni. Në këtë rast, problemi më i madh do të ishte distance e largët nga Italia, duke marrë parasysh se mund të nevojitet më shumë se një ditë pushim.







