Shqetësim i madh për Lucio, ish-mbrojtësin e Interit të tripletës historike në vitin 2010. Siç raporton “Globoesporte”, 47-vjeçari brazilian është shtruar në terapi intensive në një spital të Brasilias, pas një incidenti shtëpiak, që i shkaktoi djegie në disa pjesë të trupit.
Në raportin mjekësor të fundit thuhet: “Pacienti është në gjendje të qëndrueshme, i vetëdijshëm dhe nën kujdesin e një ekipi të specializuar mjekësor. Ai po merr trajtimin e nevojshëm për djegiet”.
Lucio i dha lamtumirën futbollit në vitin 2020, pothuajse në moshën 42-vjeçare. Në karrierën e tij ka veshur fanellat e Bayer Leverkusen, Bayern Munich, Inter, Juventus, São Paulo, Palmeiras dhe në fund Brasiliense.
Ai është kampion bote me Brazilin në vitin 2002 dhe fitues i dy “Confederations Cup”. Me Interin fitoi gjithçka në sezonin historik 2009-2010: Champions League, Serie A, Kupa e Italisë dhe Botërorin për Klube. Me Bayernin kishte fituar tri Bundesliga.
Tifozët zikaltër dhe gjithë bota e futbollit i urojnë shërim të shpejtë kampionit të madh.







