Piastri mposht Verstappen dhe siguron “pole” në Imola, zhgënjim për dy makinat Ferrari, jashtë “top-10”

17 Maj 2025
17:45
Telesport
back button

Piloti australian Oscar Piastri siguroi “pole position” në pistën e Imola, i vlefshëm për Çmimin e Madh të Emilia Romagna (Itali). Kryesuesi i botërorit dha kohën 1’14”670, duke siguruar këtë rezultat në tentativën e fundit.

Piastri ishte më i shpejti në një pistë ku është e vështirë të parakalohet, ndaj konsiderohet favorit për garën. Ai do të ndajë vijën e parë të startit me kampionin e botës Max Verstappen, i dyti me Red Bull, që shpreson në startin e garës nesër.

Në vendin e tretë u rendit makina Mercedes e britanikut George Russell, që la pas patriotin e tij Lando Norris me McLaren (i katërti). Në “top-10” edhe Fernando Alonso, Carlos Sainz, Alexander Albon, Lance Stroll, Isaak Hadjar dhe Pierre Galsy.

Zhgënjim total për makinën Ferrari, jashtë 10 më të mirëve me të dy pilotët e tij. Charles Leclerc u rendit i 11-ti, duke lënë pas shokun e tij të skuadrës Lewis Hamilton. “Kokëkuqja” dështoi para fansave të saj.

Në pistën e shtëpisë zhgënjeu edhe Kimi Antonelli me makinën tjetër Mercedes, që u rendit i 12-ti. Provat e sotme u karakterizuan nga dy aksidente në sesionin e parë, që sollën edhe valëvitjen e flamurit të kuq.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit