Ka përfunduar Turi i 82-të Çiklistik i Shqipërisë, me çiklistin holandez Tom Jokmans që është shpallur fitues i tij. Ndërsa ekipi i tij Grut Amsterdam u shpall si skuadra më e mirë e këtij turneu, që u zhvillua për 5 ditë me radhë në vendin tonë.
Etapa e pestë e këtij eventi ishte ajo Vlorë-Fier, 122km e gjatë, e cila u fitua nga çiklisti malazez Jovan Divnic. Ai fitoi me “fotofinish” duelin me serbin Marko Stankovic (2h46’10”), që u rrëzua në momentin e fundit të garës.
Gjithçka u vendos pas verifikimit të pamjeve televizive, që i dhanë fitoren malazezit. Etapa e pestë ishte tërësisht fushore, çka bëri që garuesit të mbërrinin në grup në Fier, ku dhe nisi një sprint i fortë mes çiklistëve.
Gjithsesi, në fund, pas 5 etapash, Jokmans mbrojti fanellën e verdhë të liderit të Turit Çiklistik, duke u shpallur fitues i tij. Shqipëria mund të krenohet me fitimin e dy etapave nga çiklistët e kombëtares, Gabriele De Fabrititi dhe Olsian Velija.
De Fabrititi mori edhe fanellën e bardhë, atë të të riut më të talentuar të turneut. Fanellën e kuqe, atë të malit, e mori holandezi Jelle Bonstra, ndërsa fanella jeshile e finisheve sprint shkoi për Callum Macleodd.
Turi Çiklistik 2025
26 maj, Tiranë-Rrëshen-Shkodër, 151km, Gabriele De Fabritis
27 maj, Shkodër-Elbasan, 188km, Niels Reemeijer,
28 maj, Elbasan-Vlorë, 149km, Olsian Velija
29 maj, Vlorë-Himarë-Vlorë, 153km, Callum Macleodd
30 maj, Vlorë-Fier, 122km, Jovan Divnic







