Napoli po shtyn fort për Ademola Lookman. Sulmuesi nigerian i Atalantës është objektiv konkret për napolitanët, me një lidhje të privilegjuar mes presidentëve Aurelio De Laurentiis dhe Antonio Percassi, dy figura që e vlerësojnë shumë njëri-tjetrin dhe që prej muajsh mbajnë kontakte të vazhdueshme.
Lookman i pëlqen jashtëzakonisht shumë në radhë të parë De Laurentiis, por edhe Giovanni Manna dhe Antonio Conte, të gjithë të bindur për cilësinë e tij, siç raporton “Radio Kiss Kiss”. Megjithatë, operacioni paraqitet i komplikuar.
Nëse me Gian Piero Gasperinin në stol, tratativa do të kishte qenë më e lehtë për shkak të përplasjes së thellë mes trajnerit dhe lojtarit, ardhja e Ivan Juric në pankinën e Atalantës e ka ngadalësuar disi gjithçka, duke e bërë shitjen më pak të sigurt.
Pengesa kryesore mbetet kërkesa ekonomike e Atalantës. Percassi është i palëkundur dhe kërkon jo më pak se 60 milionë euro për “xhevahirin” e tij. Një shifër e konsideruar e tepruar nga Napoli, sidomos duke pasur parasysh se Lookman po i afrohet moshës 28-vjeçare.
Për ta komplikuar edhe më shumë situatën për Napolin është edhe çështja e Kupës së Afrikës, një turne që De Laurentiis tradicionalisht nuk e sheh me sy të mirë për lojtarët e tij. Megjithatë, Napoli do të përpiqet të ulë pretendimet e Atalantës, duke kërkuar një marrëveshje që ta marrë anësorin e talentuar në hijen e Vezuvit. Tratativa është e hapur, por rruga e vështirë.







