Charles Leclerc u rikthye në podium në garën e fundit të zhvilluar në Austri. Rezultati i monegaskut dhe Ferrari ishte maksimumi që mund të aspironin në një garë ku dominoi McLaren, me një fitore të dyfishtë.
Një podium që rrit moralin, duke kthyer “kokëkuqen” si forcë e dytë në botëror, konfirmuar edhe nga vendi i katërt i Lewis Hamilton. “Në garë kishte shumë ulje-ngritje dhe më është dashur të menaxhoj shumë në pjesën e parë”, tha Leclerc.
“Për momentin, jemi në një situatë ku për të maksimizuar potencialin e makinës duhet të bëjmë maksimumin në garë. Ekuilibri që kisha dhe luhatjet e makinës nuk shkuan mirë së bashku, kështu që pata shumë vështirësi“, tha Leclerc.
“Edhe nëse do të kishim pasur garën perfekte, nuk mendoj se McLaren ishte i arritshëm. Megjithatë, po bëjmë hapa përpara: Mendoj se përmirësimi i shasisë na ndihmoi të ngjiteshim në podium. Duhet të vazhdojmë të shtyjmë fort”, shtoi monegasku.
Më tej, ai tha: “Sigurisht, askush nuk është i kënaqur me nivelin e performancës dhe nuk duhet të kënaqemi me vendin e tretë. Por, në një sezon si ky, podiumi është një hap përpara që është i mirë për moralin e të gjithëve”.
“Ka shumë punë për të bërë prapa skenave për të ndryshuar këtë situatë. Po shtyjmë fort dhe shpresoj që përmirësimet e tjera do të na ndihmojnë të bëjmë përparim të mëtejshëm“, deklaroi Charles Leclerc.







