Chiellini rrëfehet në 360 gradë: Italia mund të arrijë në finalen e “Euro 2024”

20 Qershor 2024
12:48
Alfred Lleshi
back button

Giorgio Chiellini, ish-mbrojtësi që ka luajtur për Juventusin dhe Italinë për një kohë të gjatë, ka dhënë një intervistë për “As” ditën e ndeshjes mes axurrëve dhe Spanjës: “Jam mirë, i qetë dhe i lumtur. Gjëja e bukur është se zgjodha gjithçka që më ndodhi: të vija te Los Angeles kur kisha ende një vit kontratë me Juventusin dhe të tërhiqesha nga futbolli kur më ofruan të vazhdoja”.

Kur vendosët të dilni në “pension”?
Vitin e fundit të kontratës me Juventusin mund të luaja ende, por vura re se sa e vështirë ishte për mua të rikuperohesha. Nuk doja të qëndroja i parëndësishëm. E njëjta gjë më ndodhi në Los Angeles. Kam pasur dy sezone të bukura, arrita në dy finale të MLS, një fitore dhe një humbje, si dhe një finale të Champions League… Me familjen time vendosa të kthehesha në Itali, doja të filloja të argëtohesha dhe të studioja.

Të gjithë ju imagjinojnë si një trajner të madh…
Këtu jam duke bërë praktikë, duke studiuar pranë klubeve sportive. Është interesante dhe po mësoj shumë.

Bonucci sapo ka dalë në “pension”. Ishte e fundit i BBC-së që tërhiqej nga futbolli…
Një epokë ka mbaruar. Së shpejti do të vijë radha edhe BBC-së tjetër… I pari ishte Gareth (Bale), me të cilin pata fatin të luaja këtu në MLS. Ai është një person i shkëlqyer. Koha kalon, është pjesë e jetës. Tani është thelbësore të përgatitem për atë që do të vijë më pas.

Totti, gjatë ‘pensionimit’ të tij tha: kam frikë…
Është një tronditje për të gjithë. Ndonjëherë nuk i vëreni sinjalet që dërgon trupi juaj, të cilat ju braktisin pak nga pak. Problemi është se, ndonjëherë, kjo nuk ndodh pak nga pak. Kur ndodh papritur, është shumë më e vështirë për të reaguar dhe përshtatur.

Real Madridi vazhdon të fitojë Ligën e Kampionëve…
Jam shumë i lumtur për Ancelottin, i shkrova Pintusit, me të cilin kam punuar te Juve. Nëse një klub italian nuk mund të fitonte, unë isha i emocionuar që Carlo ia doli. Ai ishte një nga të paktët, me të cilët do të kisha dashur të punoja. Sidoqoftë, jam me fat që kam punuar me Capello, Prandelli, Conte, Allegri, Mancini… Më ka munguar Ancelotti dhe Spalletti për të bërë ‘bingo’.

Ju keni luajtur shpesh kundër Ronaldos dhe Messit…
Kam luajtur me Cristianon në një ekip, jo vetëm si kundërshtar. Ishte i jashtëzakonshëm, jam i sigurt se ata që luajtën me Messin thonë të njëjtën gjë për argjentinasin. Për mua ata ishin në të njëjtin nivel, shkruanë faqe legjendare të futbollit dhe nxitën rritjen e tyre me sfidën e vazhdueshme, ndeshje pas ndeshjeje. Mbaj mend ndeshjen time të parë kundër Messit, në vitin 2005. Capello më futi në mesfushë, në 4-4-2, me Pesotton në krahun e majtë. Cristiano është lojtari që shënoi më shumë gola në Juventusin tim. Nuk ishte gjë e lehtë duke luajtur kundër meje, por CR7 ia doli me çdo mënyrë.

Sa ju lëndoi humbja e Kampionatit Europian kundër Spanjës në 2012?
Në fazën e grupeve kishim kohë dhe forcë për t’u përgatitur kundër Spanjës. Finalja ishte një situatë shumë e ndryshme. Luajtëm të enjten në mbrëmje në Varshavë, mbërritëm në pesë të mëngjesit në Krakov dhe të shtunën në mëngjes udhëtuam tri orë të tjera me aeroplan. Shkuarja në Kiev nuk na linte kohë për t’u rikuperuar dhe, kundër një rivali më të fortë si Spanja, do të duheshin edhe dy ose tri ditë të tjera përgatitje. Praktikisht, ne shkuam në finale pa u stërvitur.

Në vitin 2021 morët hak…
Ndaj Spanjës humba shumë, por edhe fitova shumë. E nisa me çerekfinalen në vitin 2008, që ishte si shenjtërimi im ndërkombëtar. Barazimi 0-0 me Barcelonën në 2017 ishte një tjetër kujtim i mirë. Në ‘Euro 2016’ shënova një gol në çerekfinale, më 2021 avancuam, pavarësisht se kishim përjetuar të vetmen ndeshjen me spanjollët, në të cilën vuajtëm si qentë. Isha me fat që u rrita kundër rivalëve si Fernando dhe Andrés, nga mosha 17 deri në 40 vjeç. E kemi sfiduar njëri-tjetrin me buzëqeshje. Është nder të takosh lojtarë që kanë shënuar kaq shpesh dhe bërë epokë.

Qasja juaj në “Euro 2021” nuk ishte e lehtë…
Në dhjetor të një viti më parë po mendoja të tërhiqesha. Bëra një operacion të ligamentit të kryqëzuar, nuk mund të kisha vazhdimësi. Më pas, duke qenë se jam një person kokëfortë, fillova të ndryshoja metodën time të stërvitjes, duke braktisur peshat dhe punuar vetëm. Për elasticitetin dhe qëndrimin, kam luajtur çdo tri ditë për gjashtë muaj dhe e dija se do të isha 100% në Ligën e Kampionëve. Doja ta shijoja dhe më pas erdhi dëshira për të luajtur në Kampionatin Europian, siç ka ndodhur gjithmonë në karrierën time.

Çfarë do të thoshte të ngrije trofeun në “Wembley”?
Kënaqësia më e madhe e karrierës sime. Më mungonte një trofe ndërkombëtar dhe mendoj se e kam merituar për të gjitha herët që e kam pasur pranë.

Si mund ta mbrojë trofeun Italia e Spallettit?
Me krenari, me entuziazëm. Grupi ka ndryshuar shumë, Spalletti po bën një punë të shkëlqyer dhe është garancia e projektit. Kam folur me disa lojtarë, më vjen keq që nuk jam aty, por angazhimet që kam më pengojnë. Duke bërë kështu, Italia mund të arrijë në finale. Unë do të nënshkruaja për një tjetër finale Itali-Spanjë.

Për cilin nga mbrojtësit do të “vinit bast”?
Më i miri për momentin është Bastoni. Në nivel teknik ka pak në botë në nivelin e tij, po rritet dhe po e interpreton mirë evolucionin e ri të futbollit, më pak pozicional dhe gjithnjë e më teknik e sulmues. Ai luan me tre lojtarë, ndryshon pozicionin, pozicionohet lart dhe ka një qetësi të madhe në prekjen e topit. Ai mund të jetë një qendërmbrojtës i mrekullueshëm për kombëtaren spanjolle.

Çfarë mendoni për Spanjën?
Po kalon një ndryshim cikli, mungojnë disa emra të mëdhenj, por gjithsesi është ekip i frikshëm. Jam i lumtur për Morata, i cili është një mik imi shumë i dashur, mjaft i rëndësishëm për kombëtaren iberike. Spanja ka shumë të rinj, por duhet të ndërtohet rreth talentit të Rodrit.

Më në fund, kush e fiton Kampionatin Europian?
Franca, Anglia dhe Portugalia janë favoritët, të tjerët janë prapa, por kini kujdes: kur fituam ne, nuk ishim më të mirët. Portugalia fitoi më 2016 pas një faze mediokër në grupe.

 

Kur do t’ju shohim sërish pranë fushave të blerta

Në shtator do të kthehem në Torino, që është shtëpia ime. Kam një kontratë si ambasador me Juventusin, ishte ekipi i karrierës sime, edhe nëse është shumë herët për të folur për të ardhmen. Duhet të vazhdojmë të mësojmë dhe të grumbullojmë energji për të filluar përsëri.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit