“Çmendet” Serbia, i jep ultimatum UEFA-s: Dënoni Shqipërinë dhe Kroacinë, ose braktisim Europianin!

20 Qershor 2024
13:51
Alfred Lleshi
back button

Jovan Surbatovic, sekretari i përgjithshëm i Federatës Serbe të Futbollit, kërcënoi këtë të enjte me tërheqje të kombëtares së tij nga “Euro 2024” për shkak të thirrjeve, sipas tij, që u dëgjuan nga një pjesë e tifozëve gjatë përballjes mes Kroacisë dhe Shqipërisë. Këto kore, sipas zyrtarit të lartë të futbollit të këtij vendi, ishin: “Vrite, vrite serbin”.

Duke folur për RTS, transmetuesi shtetëror serb, Surbatovic i bëri thirrje UEFA-s që të miratojë sanksion të ashpër kundër federatave kombëtare të Kroacisë dhe Shqipërisë, përndryshe Serbia do të marrë masa:

“Ajo që ndodhi është skandaloze, ne do t’i kërkojmë UEFA-s sanksione. Nëse nuk dënohen përgjegjësit, kjo nënkupton që ne të mos e vazhdojmë kompeticionin. Do të kërkojmë që UEFA t’i sanksionojë federatat e të dyja vendeve. Nëse UEFA nuk i ndëshkon, ne do të mendojmë se si do të vazhdojmë”.

Serbia tashmë është gjobitur me 12.550 franga zvicerane nga UEFA pasi tifozët e saj hodhën objekte gjatë ndeshjes kundër Anglisë. Edhe Shqipëria mori një sanksion për shkak se tifozët e saj shfaqën pankarta me harta nacionaliste ndaj Italisë, madje një tifoz hyri në fushën e blertë gjatë lojës.

“Ne u ndëshkuam për raste të izoluara. Tifozët tanë u sollën shumë më mirë se të tjerët. Një tifoz u dënua për fyerje raciste dhe ne nuk duam t’i atribuohet të tjerëve. Ne jemi zotërinj, kemi një zemër të hapur, kështu që ju kërkojmë fansave të vazhdojnë kështu”, – përfundoi Surbatovic.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit