Trajneri Luis de La Fuente nuk e fsheh kënaqësinë e tij të madhe për dominimin në fushë dhe fitoren 1-0 ndaj Italisë në Euro 2024. Sukses që i dha kualifikimin e Spanjës së tij në fazën e 16 më të mirave në Euro 2024 edhe pse ka ende një ndeshje për të luajtur, atë ndaj Shqipërisë.
“Jam krenar për një grup të mrekullueshëm dhe të jashtëzakonshëm lojtarësh që kanë një dëshirë të madhe për t’u përmirësuar. Ishte një ndeshje shumë e vështirë kundër një ekipi të madh, por që e dominuam gjatë gjithë kohës. Shpresojmë të vazhdojmë të jetojmë sipas asaj që pritet prej nesh”, tha De La Fuente.
Gjithsesi, ai i mban këmbët fort në tokë sepse rrugëtimi është ende i gjatë: “Kur duhet të takosh skuadrat e mëdha është një lojë ndryshe. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë me përulësi dhe duke ditur se kemi hapësirë për përmirësim”. Spanja e tij sulmoi pa pushim, por në fund triumfoi vetëm falë autogolit të Calafiori.
“Ne nuk duhet të humbasim zemrën, sepse ndeshjet vendosen nga detajet. Nuk ka njeri më të mirë se ne dhe duhet të vazhdojmë të punojmë me këtë bindje, duke respektuar të gjithë rivalët. Kemi pritshmëri të mira nëse vazhdojmë t’i bëjmë gjërat ashtu siç i bëjmë ndaj Italisë”, tha De La Fuente.