Piloti britanik i McLaren, Lando Norris, fitoi sot garën e Cmimit të Madh të Majemit në Formula 1, suksesi i tij i parë në karrierë. Një fitore surprizë e Norris, që rikthen McLaren në majën e podiumit pas 3 vitesh.
Ai u gjet në vendin e duhur, i pari, në momentin e duhur, kur në pistë hyri makina e sigurisë. Ndërrimi i gomave nën regjimin e makinës së sigurisë e la në krye të garës dhe më pas e mbrojti vendin e parë deri në fundin e saj.
Max Verstappen, u përpoq ta kapte për një moment por pa sukses. Holandezi i Red Bull u rendit në vendin e dytë, i pafuqishëm të duelojë për fitore. Ndërkohë që, në podium u ngjit edhe Charles Leclerc (i treti) me makinën Ferrari.
Një rezultat që nuk pritej në fillim të garës, e cila po komandohej nga Verstappen që nga starti i saj. Aksidenti mes Magnussen dhe Sargeant në mesin e garës bëri që në pistë të hyjë makina e sigurisë, ndërkohë që pilotët ndërronin gomat.
Norris përfitoi nga kjo situatë duke mbrojtur kreun dhe më pas nisi të shkëputej. Holandezi nuk arriti dot të duelojë për fitore, ndërkohë që Leclerc u kënaq me vendin e tretë, duke lënë pas shokun e tij të skuadrës Carlos Sainz (i katërti).
Në zonën e pikëve hynë edhe Sergio Perez (Red Bull), Lewis Hamilton (Mercedes), Yuki Tsunoda (RB), George Russell (Mercedes), Fernando Alonso (Aston Martin) dhe Esteban Ocon (Alpine). Në fund, festë e madhe për McLaren dhe Norris.