Në Grupin B të Euro 2024, përveç ndeshjes së kombëtares shqiptare ndaj Spanjës do të luhet sot në mbrëmje edhe sfida Kroaci-Itali. Një ndeshje vendimtare për të dyja skuadrat, sidomos për kroatët, që kanë vetëm një pikë dhe vetëm fitorja i mban në lojë për më tej.
“Ne jemi gati, të gjithë janë në formë, përveç Vidës. E dimë që ndeshja e sotme do të jetë një ndeshje brenda ose jashtë. Na duhen vetëm tre pikët për të ecur përpara dhe nuk duam të shkojmë në shtëpi. Deri më tani nuk kemi arritur rezultatet e dëshiruara, ndaj duhet të reagojmë”, tha trajneri kroat Zlatko Dalic.
“E dimë situatën tonë dhe jemi gati të luftojmë. Skuadrat italiane janë taktike dhe sigurisht që do ta shohim sot. Ata kanë nevojë vetëm për një pikë dhe ne do të përpiqemi t’i nervozojmë. Gjithçka është e mundur dhe ne jemi gati. Ne nuk e nisëm me këmbën e djathtë dhe kemi pësuar shumë”, u shpreh Dalic.
Më tej, trajneri i Kroacisë shton: “Sigurisht që ka një presion sepse ideja ishte të kalonim grupin dhe të gjendemi në një situatë tjetër. Duam t’u japim kënaqësi tifozëve që na mbështesin, nuk duhet të dorëzohemi dhe të përpiqemi të zgjidhim situatën që është krijuar që në fillim”.