Në ndeshjet e treta në grupe llogaritë bëhen me laps në dorë dhe makinë llogaritëse, pasi kualifikimi varet nga shumë kombinime, jo vetëm nga ajo çfarë një skuadër arrin vetë në fushë, por edhe nga ndeshjet e rivalëve, apo kombëtareve të grupeve të tjera.
Shqipëria është mes atyre që do kenë sytë nga fusha (ndeshja ndaj Spanjës) por edhe jashte saj. Nëse mundin Spanjën që ka siguruar vendin e parë me 2 fitore, Shqipëria shkon në kuotën e 4 pikëve dhe kështu ka shumë mundësi ta vazhdojë më tej aventurën gjermane, të paktën si një prej katër skuadrave të treta më të mira.
Do të ishte një arritje historike për Shqipërinë, nëse do të kalonte grupin në pjesëmarrjen e saj të dytë në Europian. Por, një fitore e mundshme sot kundër Spanjës mund ta çojë edhe në vend të dytë Kombëtaren shqiptare, në varësi të rezultatit të ndeshjes tjetër të grupit mes Italisë dhe Kroacisë, që gjithashtu janë në lojë për kualifikimin.
Kuqezinjtë mbajnë vendin e tretë në grup aktualisht, me 1 pikë dhe falë golaverazhit më të mirë se Kroacia e vendit të fundit.
Sipas statistikave, me situatën aktuale të grupeve, 4 pikë janë të mjaftueshme për të vazhduar më tej, sidomos kur nuk ke golaverazh negativ si Shqiperia qe ka shenuar 3 gola dhe ka pesuar 4.
Ka edhe një variant, që e kualifikon Shqipërinë edhe me një barazim ndaj Spanjës. Nëse kuqezinjtë marrin 1 pikë ndaj iberikëve sot dhe Kroacia nuk fiton kundër Italisë, Kombëtarja jonë do të zinte vendin e tretë në grup me golaverazh më të mirë sesa Kroacia. Në këtë rast kualifikimi do të varej nga rezultatet e grupeve A, C dhe F, ku duhet të plotësohen skenarë të veçantë në të paktën dy prej tyre për të bërë ëndrrën kuqezi realitet.
Në Grupin A, fitorja e Hungarisë prishi pak planet por nuk ka vend për dramë. Në Grupin C duhet që Anglia të mundë Slloveninë dhe ndeshja Danimarkë-Serbi të mos mbyllet në barazim, ndërsa në Grupin F duhet që Çekia dhe Gjeorgjia të mos fitojnë ndeshjet përkatëse.
Përtej këtyre kombinimeve, duhet që Shqipëria të ketë golaverazh më të mirë sesa skuadra që del e treta në të paktën 2 nga këto 3 grupe. Shqipëria ka realisht shanse kualifikimi në fazën me eliminim direkt të “Euro 2024”, por ekspertët e statistikave e shohin si pak të mundshëm kalimin e grupit nga ekipi i Sylvinhos.
Nëpërmjet 20 mijë simulimeve kompjuterike të rezultateve, ekspertët e “Football Meets Data” kanë përcaktuar se cilat janë përqindjet e kuqezinjve për t’u pozicionuar në një vend, apo në një tjetër në grup. Sipas tyre, Shqipëria ka vetëm 2% mundësi që të dalë në vend të dytë në grup pas ndeshjeve të treta që do të luhen sot.
Simulimet kompjuterike i japin 36% mundësi Shqipërisë të dalë e treta, ndërsa ka 62% mundësi të dalë e katërta. Në total, ekspertët përllogaritin se Shqipëria ka vetëm 8% mundësi që të kualifikohet në fazën e 16 skuadrave më të mira të kompeticionit.