Lamine Yamal, makthi i dhomës së zhveshjes së kombëtares shqiptare

24 Qershor 2024
18:23
Alfred Lleshi
back button

Lamine Yamal ka provën përfundimtare për të treguar nëse ka petkun e yllit, kampionit në këtë Europian, në të cilin ka thyer rekordin e të rinjve duke luajtur vetëm 16 vjeç.

Anësori i Barcelonës, së bashku me Nico Williams, është një nga sensacionet më të mëdha të “Euro 2024”, kompeticion në të cilin Spanja është afishuar si favorite kryesore. Të dy kanë pasur një rol të spikatur në dy ndeshjet e para, por Lamine Yamal është edhe më befasues për shkak të moshës së tij.

Aq sa te Shqipëria, rivali i tij i radhës, nuk mund të mos flasin në prapaskenë për talentin mbresëlënës të sulmuesit të Barcelonës dhe atë që po bën në një moshë kaq të re. “Ajo që po bën Lamine Yamal është tronditëse, e pabesueshme. Në moshën 16-vjeçare, sa i talentuar…; ndonjëherë mendoj për këtë.

Këtë e diskutuam edhe me ekipin, të gjithë thamë: uaaaa, në moshën 16-vjeçare, por është një nga më të mirët. Është super lojtar në këtë moshë, imagjinoni të ardhmen që ka”, – thotë Iván Balliu për “Mundo Deportivo”, në një intervistë ekskluzive.

Lojtari i Rayo Vallecano ende nuk ka debutuar në këtë Europian, ndonëse bën me dije se këtë do ta bëjë kundër Spanjës, shteti ku ka lindur dhe më pas u lidh me Shqipërinë për shkak të historisë familjare. Dueli i tij i parë mund të jetë kundër Lamine Yamal ose Nico Williams, lojtarë që tashmë i njeh nga La Liga, megjithëse ka mundësi që të dy të pushojnë, pasi Spanja është kualifikuar.

“Duhet t’u lini pak hapësirë, që të mos t’ju driblojnë dot. Nëse jeni shumë afër tyre, janë aq të shpejtë sa gjejnë hapësira për të të lënë në vend. Janë dy lojtarë shumë çekuilibrues për kundërshtarin dhe të vështirë për t’u ndalur, – thekson Balliu. – Unë jam gati të luaj, nuk ka lojtar tjetër te Shqipëria që i njeh më mirë si luajnë dhe si mund t’ia dalësh kundër tyre”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit