Kampionati Europian 2024 përfundon këtu për kuqezinjtë tanë. Nuk ia dolëm dot ndaj Spanjës të marrim as barazimin, jo më fitoren që na kualifikonte në 1/8 finale. Megjithatë, largohemi me kokën lart për dy ndeshjet e zhvilluara ndaj Kroacisë dhe Spanjës.
Pengu i madh është vetëm ndeshja e parë me Italinë, kur bëmë paraqitje të mefshtë. Sonte, ndaj Spanjës, që luajti me formacionin e dytë, por të gjithë yje, kombëtarja jonë dha gjithçka. Sidomos në pjesën e dytë i shpenzoi të gjitha energjitë, por përtej mundësive nuk mund të shkohet.
E mbyllim me vetëm një pikë, falë barazimit 2-2 ndaj Kroacisë, por duke lënë gjurmë pozitive. Sidomos tifozët tanë kuqezinj kanë qenë bukuria e stadiumeve ku ka luajtur kombëtarja jonë, e qyteteve si Dortmund, Hamburg dhe Dyseldorf, ku kanë dominuar me organizimin dhe festën e tyre.
Ndeshja tjetër e grupit tonë, ajo mes Italisë dhe Kroacië u mbyll me barazimin 1-1. Modric shpërdori një penallti për kroatët, por e shleu një minutë më vonë me gol (55′), ndërsa axurrët barazuan me M. Zaccagni në 90+8’. Kësisoji, Spanja kualifikohet në 1/8 finale si më e mira e grupit, me 9 pikë të plota, e ndjekur nga Italia me 4 pikë. Klasifikimi i grupit B kompletohet me Kroacinë e vendit të tretë, me 2 pikë, dhe Shqipëria me vetëm një pikë.
NDESHJA – Tashmë e kualifikuar si kokë grupi (falë fitoreve ndaj Kroacisë dhe Italisë), Spanja mbërriti në Dyseldorf me mundësinë për të kursyer forcat e saj dhe bërë rotacion total (10 lojtarë) në kuadër të 1/8 finale të “Euro 2024”. Çështje krejtësisht tjetër për Shqipërinë, praktikisht e detyruar të fitonte për të vazhduar të shpresonte.
Trajneri Sylvinho mbështetet te lojtarët e tij më të mirë, ndërsa De la Fuente vendos t’u japë vëmendje atyre që deri më tani kishin kaluar më shumë kohë në stol sesa në fushë. Fillimi i ndeshjes ishte shumë i ekuilibruar, “shqiponjat” e nisën më agresive në top, ndërsa spanjollët presin, duke menaxhuar “sferën”.
Mundësia e parë u regjistrua nga Merino, por goditja e tij me kokë u bllokua nga një Strakosha i vëmendshëm. Në fakt ishte preludi i golit. Një pasim perfekt i Dani Olmo për Ferran Torres, i cili godet shtyllën e largët me këmbën e majtë dhe e zhbllokon rezultatin në minutën e 13-të. Sa herë që rrit ritmin, Spanja bëhet e rrezikshme. Dani Olmo ishte ndër më aktivët.
Në fund të pjesës së parë, Asllani realizon goditjen e parë të Shqipërisë në portë. Një goditje e shkëlqyer me këmbën e djathtë e mesfushorit të Interit, i cili megjithatë merr përgjigje të shkëlqyer nga Raya. Pjesa e dytë nis me një veprim të mrekullueshme nga Joselu. Sulmuesi i Real Madridit prek këndin e sipërm të portës së Strakoshës.
Ndeshja është qartazi në duart e “Furisë së Kuqe”, ndaj Sylvinho aktivizon Brojën në vend të manajt. Qendërsulmuesi i Chelsea shfaqet menjëherë, duke detyruar Raya të bëjë një ndërhyrje vendimtare. Morata dhe Yamal hyjnë në fushë në çerekorëshin e fundit të ndeshjes dhe Spanja gjen “jetë të re”.
Sulmuesi i Atletico Madridit provon me kokë, por humbet objektivin. Ka ende kohë për një tjetër tentativë të Brojës, së cilës Raya i përgjigjet sërish me siguri. Edhe Asllani tenton nga distanca, por fati nuk është me të dhe as kuqezinjtë.