Na dërgoi në “Euro 2024”, tani ka siguruar edhe “play off”-in e Botërorit 2026. Sylvinho, nëse e kalon me sukses edhe “paradhomën” e kualifikimit përfundimtar për në Botërorin e vitit të ardhshëm, me siguri e meriton “statujën” në futbollin shqiptar. Pas fitores së vështitë e mjaft të vuajtur ndaj Andorrës 1-0, braziliani u shpreh:
“Një natë e mrekullueshme dhe historike, le ta shijojmë arritjen në ‘play-off’. Broja? E pashë që ishte i mërzitur, kam folur vetëm pak me ekipin. Të gjithë kanë vuajtur ndaj Andorrës. Pasi fituam, u ndalëm për një moment për të kuptuar edhe rezultatin e sfidës tjetër (fitores 2-0 të Anglisë 2-0 ndaj Serbisë) dhe më pas festuam. Është natë e madhe.
A mund ta luajmë ‘play off’-in siç duhet? Të gjithë duhet të festojnë për këtë sukses. Është një moment i bukur dhe historik. Do të telefonoj edhe Hamdi Salihin, pasi e dua fort dhe për këtë do të festojmë. Broja dhe energjia e tij? Jam i lumtur për 9 milionë shqiptarët. Nuk e di se çfarë do të ndodhë në ndeshjen tjetër dhe me ruajtjet e energjisë.
Skoci, Çeki, Sllovaki dhe Hungari, rivalë të mundshëm në ‘play off’? Jam krenar për të gjithë futbollistët. Nuk mendoj për ‘play off’, pasi kemi edhe një ndeshje para. Më vjen keq për Pajazitin dhe Caken që ishin në tribunë. Tuci ishte një ndërrim taktik. Është një futbollist që na duhet dhe krijon hapësira. Jam i kënaqur me të gjithë futbollistët, edhe ato të stolit.
Kur e mora vendimin për Uzunin dhe Bajramin, që të aktivizoheshin? I kam parë edhe brenda lojtarët në dhomën e zhveshjes, ne jemi një. E kam marrë si vendim në pushim, ose 10 minuta pasi kishte nisur pjesa e dytë. Fola me Bajramin gjatë pushimit. Bajrami është një trekuartist. E di që ka diskutime në lidhje me të, por është golashënuesi më i mirë i skuadrës që kemi aktualisht. Nuk më intereson çfarë ndodh mes tij dhe klubit. I heq kapelen edhe Uzunit.
Kur gjërat shkojnë mirë, shkojnë mirë. Po bëjmë punë shumë të mirë. Kam zgjedhur të jetoj në Shqipëri, për të qenë më i angazhuar. Edhe Doriva me Zabaletën jetojnë këtu. Kemi humbur vetëm një ndeshje në këtë rrugëtim”.







