Uzuni: Serbia ishte tjetër emocion, e dinim çfarë na priste këtu

14 Nëntor 2025
7:59
Alfred Lleshi
back button

Uzuni hyri nga stoli në pjesën e dytë, dha asistin për Asllanin, nga këmbët e të cilit erdhi goli i çmuar ndaj Andorrës, që solli kualifikimin në ‘play off’-in e Botërorit 2026. Pas fitores 1-0, beratasi kuqezi u shpreh: “Ne punojmë shumë në stërvitje, i di cilësitë e Kristjanit, që pret topin e dytë. Ishte aksion shumë i mirë me Nedimin, i cili pasoi në hapësirë. E prisja lëvizjen e Manajt, që mori mbrojtësin dhe hapi hapësirë për Asllani, i cili shënoi një gol të rëndësishëm.

Ishte e vështirë, e shihja që kishim pak mangësi në aspektin sulmues. Andorra lejoi hapësira, ndaj duhej sulmuar më shumë nga krahët. Mendoj se ishte si finale për ne, jemi të kënaqur për këto tri pikët, i gëzojmë të gjithë shqiptarët që mezi e kanë pritur këtë moment.

Serbia ishte tjetër emocion, e dinim çfarë na priste këtu. Andorra është ekip i vogël, nuk është se ka kualitet, por luante duke vonuar lojën, duke bërë faulle, ulte ritmin. Mendoj se ishte plotësisht e merituar kjo fitore. Nuk duhet të analizojmë tani, por të festojmë pasi është një arritje e madhe për Shqipërinë”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit