Superliga me “dy koka”: Pogradeci e Dinamo mbrojnë kreun, Tirana triumfon ndaj Skënderbeut

14 Shkurt 2026
20:39
Telesport
back button

Janë luajtur ndeshjet e javës së 10-të të Superligës në volejboll për femra. Pogradeci e Dinamo vijojnë të komandojnë renditjen me nga 27 pikë secila. Pogradecaret fituan me lehtësi 3-0 (25-18, 25-17, 25-11) jashtë fushe ndaj Korabit.

Pa probleme fiton edhe Dinamo, që në kryeqytet mundi po 3-0 Vllazninë (25-12, 25-18, 25-16). Ndonëse pritej më shumë nga skuadra shkodrane, e përforcuar së fundi edhe me dy lojtarë të huaja, në fushë komanduan kryqytetaset, që merituan fitoren.

Fiton edhe Teuta, që në fushën e saj mundi 3-1 Partizanin (25-16, 19-25, 29-27, 25-21). Një ndeshje me rivalitet shumicën e kohës, ku të dyja ekipet dueluan për fitoren dhe janë ende në garë për një vend në fazën play off.

Në Korcë, skuadra e Tiranës fitoi 3-1 ndaj Skënderbeut (27-25, 25-20, 17-25, 25-12), duke konsoliduar vendin e tretë në renditje. Një ndeshje ku skuadrat dueluan fort në tri setet e para, por më tej bardheblutë dominuan në fushë dhe merituan fitoren.

Superliga-Femra, java e 10-të

Teuta – Partizani, 3-1

Korabi – Pogradeci, 0-3

Dinamo – Vllaznia, 3-0

Skënderbeu – Tirana, 1-3

Renditja: Dinamo 27 pikë, Pogradeci 27 pikë, Tirana 24 pikë, Skënderbeu 17 pikë, Partizani 10 pikë, Vllaznia 8 pikë, Teuta 7 pikë, Korabi 0 pikë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit