Duket se mallkimi për trajnerin e Anglisë, Gareth Southgate (53 vjeç) në kampionatet europianë është i pashmangshëm. Për të dytin edicion me radhë ai ndalet në finale, fillimisht nga Italia (tri vite më parë) dhe dje Spanja.
I kryqëzuar shumë kohët e fundit nga media britanike, trajneri ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë tani që përfundoi Euro 2024. Kontrata e tij skadoi pas përfundimit të turneut, ndërkohë që Federata dëshiron t’ia shtyjë deri në fund të botërorit të ardhshëm.
“E ardhmja? Nuk mendoj se është koha e duhur për të marrë një vendim si ky në këtë moment, ku jemi të gjithë gjaknxehtë për këtë humbje. Më duhet të flas me njerëzit e duhur. Nuk është momenti”, tha Southgate në lidhje për të ardhmen e tij.
“Kam nevojë të mendohem”, tha trajneri, që numëron 102 ndeshje në krye të kombëtares së “3 luanëve”, por shpesh është kritikuar edhe nga tifozët. Ai ka arritur 61 fitore, 24 barazime e 17 humbje në detyrën e tyrajnerit të Anglisë, që nga viti 2016.