Çiklisti 25-vjeçar slloven Tadej Pogacar fitoi edicionin e 111-të të Turit të Francës. Kjo është hera e tretë që ai fiton turneun më të rëndësishëm në botë në sportin e biçikletës (2020, 2021, 2024), duke u konfirmuar si çiklisti më i mirë në botë në vitet e fundit.
Pogacar po kalon një formë të shkëlqyer, pasi arrin të triumfojë në Paris një muaj pasi fitoi edhe Xhiron e Italisë, duke arritur kështu një “dopietë” fantastike. Në këtë edicion të Turit të Francës ai fitoi 6 etapa, duke qenë i jashtëzakonshëm në garat e rrugës.
Hera e fundit që një çiklist i fitonte të dyja këto turne të biçiklietës, Xhiro dhe Tur brenda një viti, ishte sezoni 1998, me italianin Marco Pantani. Slloveni e dominoi këtë edicion, duke e marrë fanellën e verdhë të liderit në etapën e katërt dhe e ruajti deri në fund.
Në përfundim të 21 etapave, Pogacar dha kohën e përgjithshme 83h38’56”. Në vendin e dytë me +6’17” u klasifikua danezi Jonas Vindegaard, ndërsa në të tretin u rendit belgu Remco Evenepoel (+9’18” nga fituesi).