Aliji sërish në rrugë të madhe, edhe në Rumani e largojnë

4 Dhjetor 2018
10:57
back button

Naser Aliji është një rast për studim, sepse nuk është e mundur që një futbollist kombëtareje, në moshën 24 vjeç, të mbetet rrugëve dhe të mos ketë mundësi të luajë futboll.

Mbrojtësi anësor shihej si një futbollist me të ardhme të shkëlqyer para pak vitesh, aq sa Shqipëria mendoi se bëri një goditje të madhe, kur e bindi të braktiste Zvicrën U-21, për të luajtur me fanellën kuqezi në vitin 2015.

Megjithatë, që atëherë trajektorja e Alijit ka qenë anormale dhe kalimi nga Basel te Kaiserlautern në verën e vitit 2016 ishte fillimi i fundosjes së mbrojtësit. Një sezon i dështuar në Gjermani, 6 muaj pa ekip sezonin e shkuar dhe disa muaj titullar tek Virtus Entella në Itali, por sërish pa ekip prej kësaj vere.

Para pak javësh Dinamo e Bukureshtit i krijoi hapësirë, me trajnerin Mircea Rednic që afroi 5 futbollistë pa kontratë, por tashmë Aliji është larguar.

"Nasel nuk është gati fizikisht, por ka cilësi dhe do të tregojmë durim me të. Kemi biseduar dhe vendosëm ta presim deri në janar, do të shohim sërish atëherë si do të jetë fizikisht", tha Rednic në një konferencë për shtyp ku njoftoi edhe largimin e një tjetër futbollisti të afruar javët e fundit.

Kur Aliji firmosi në Rumani, kontrata parashikonte një pagë prej 4 mijë eurosh në muaj, derisa të aktivizohej rregullisht dhe të përfitonte dyfishim page. Gjithçka e kotë…

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit