Sekretet e Spanjës, kampione e merituar e botës, mund të jenë të shumta. Gjithsesi, ndoshta gjithçka përmblidhet në një të vetëm: Luis de la Fuente ka arritur të ndërtojë një kombëtare që funksionon si skuadër klubi.
Çdo lojtar e di saktësisht çfarë duhet të bëjë në çdo moment të ndeshjes. Gabimet janë reduktuar në minimum, edhe ato individuale që shpesh vendosin fatin e rezultateve. Nuk është aspak e lehtë të krijosh automatizma të tillë kur futbollistët i ke në dispozicion vetëm për pak ditë gjatë grumbullimeve. Megjithatë, De la Fuente ia doli dhe triumfi në Kupën e Botës e konfirmon se ai është shumë më tepër se një përzgjedhës i zakonshëm. Në fakt, ai është një Mjeshtër i futbollit, me “M” të madhe.
Menaxhim i barabartë për të gjithë
Spanja, kampione e botës, është një skuadër pa yje të paprekshëm. Sigurisht që është Lamine Yamal, por ai mbërriti në këtë Botëror me probleme fizike dhe u trajtua njësoj si të gjithë të tjerët.
Ai pati disa momente të mira gjatë turneut (madje edhe në finale ndikimi i tij ishte i kufizuar), por gjithmonë e vendosi veten në shërbim të ekipit, pa u sjellë si superyll. E dinte se mund të ishte shumë i dobishëm, por jo i pazëvendësueshëm.
Për De la Fuente, çdo lojtar ka të njëjtën vlerë, për sa kohë që vihet në shërbim të skuadrës. Nëse kjo nuk ndodh, ai humbet vendin dhe luan dikush tjetër. Shembulli më i mirë është Pedri, titullar i Barcelonës, i cili u zëvendësua me Fabián Ruiz sa herë që nuk dha atë që pritej prej tij.
Trajneri spanjoll, i formuar në strukturat federale, ishte gjithashtu trajneri i parë që mori pjesë në një Kupë Bote pa asnjë lojtar të Real Madridit në listën fillestare (më pas u bashkua Marc Cucurella, por vetëm pasi turneu kishte nisur).
Dy shtyllat e skuadrës
Nëse kjo Spanjë nuk ka superyje, ajo ka dy figura që mishërojnë identitetin e saj. I pari është Rodri, fitues i “Topit të Artë”, i rikthyer në nivelin e tij më të mirë. Në mesfushë ai është si “aeroplanmbajtëse”; pothuajse i pamundur për t’u lëvizur, gjithmonë në vendin e duhur dhe në momentin e duhur, duke bërë gjithmonë lëvizjen më të dobishme për ekipin dhe ndihmuar çdo shok skuadre që ka nevojë.
Tjetri është Pau Cubarsí, i lindur në vitin 2007, njësoj si Yamal. Pavarësisht moshës së re, ai luan me pjekurinë e një veterani. Ai mbrojti në mënyrë të shkëlqyer gjatë gjithë Botërorit, duke bërë vetëm një gabim, në golin e Charles De Ketelaere për Belgjikën, por spikati edhe për aftësinë e jashtëzakonshme në ndërtimin vertikal të aksioneve dhe daljet e rrezikshme në sulm. Pas buzëqeshjes së tij rinore fshihet një qetësi dhe mençuri e rrallë në fushë.
Një mbrojtje pothuajse e pakalueshme
Falë freskisë së Cubarsí, i shpallur “Lojtari më i Mirë i Ri i Botërorit”, eksperiencës së Aymeric Laporte, kontributit të Pedro Porro dhe Marc Cucurella, si edhe sigurisë së portierit Unai Simón, Spanja pati mbrojtjen më të mirë të turneut.
Unai Simón nuk u detyrua të bënte shumë pritje, por u shqua për daljet e tij të sigurta me topin në këmbë, duke u shndërruar shpesh në një lojtar të 11-të të fushës, si libero klasik i viteve ’70.
Ai vendosi rekordin e ri të paprekshmërisë në historinë e Kupës së Botës. Spanja pësoi vetëm një gol, atë ndaj Belgjikës, dhe lejoi kundërshtarët të godisnin vetëm 8 herë në portë gjatë gjithë turneut, një tjetër rekord mbresëlënës.
Një e ardhme e ndritur
Një tjetër element që e bën këtë sukses edhe më premtues është mosha e skuadrës. Spanja, kampione në fuqi e Europës dhe tashmë e botës, ka hedhur baza shumë të forta edhe për Botërorin 2030. Cubarsí dhe Lamine Yamal do të jenë vetëm 23 vjeç, ndërsa Ferran Torres, autori i golit të finales ndaj Argjentinës, do të jetë 30 vjeç dhe ende në kulmin e karrierës.
A mund të bëhet kjo skuadër edhe më e fortë? Ndoshta po. Asaj mund t’i mungojë vetëm një sulmues qendre i mirëfilltë, një “numër 9” klasik me instinkt të lindur për golin. Mikel Oyarzabal bëri një punë shumë të vlefshme në këtë Botëror, por nëse deri në vitin 2030 Spanja zbulon edhe një goleador të madh, atëherë ndalimi i kampionëve të rinj të botës mund të bëhet një mision pothuajse i pamundur.







