Ancelotti në stolin e Brazilit, merr aprovimin e Rivaldos: Ka potencial për të bërë gjëra të shkëlqyera

14 Maj 2025
9:49
Alfred Lleshi
back button

Carlo Ancelotti është trajneri i ri i kombëtares së Brazilit dhe do ta nisë zyrtarisht aventurën e tij më 26 maj. Një ditë pas përfundimit të kampionatit spanjoll do të udhëtojë drejt Rio de Janeiros për të shpallur listën me 23 lojtarët e thirrur për dy ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2026, kundër Ekuadorit (5 qershor) dhe Paraguajit (10 qershor). Një moment shumë i pritur nga të gjithë, përfshirë edhe ish-lojtarë që e njohin mirë trajnerin italian.

I tillë është rasti i Rivaldos. Ish-ylli i Barcelonës dhe Milanit e bëri të qartë në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale se do të kishte preferuar që “Seleçao” të drejtohej nga një trajner brazilian “për çështje identiteti”, por megjithatë u shpreh i kënaqur për emërimin e ish-trajnerit të tij:

“Në fund të fundit, pesë titujt tanë botërorë janë fituar nga trajnerë vendas dhe, deri më sot, asnjë trajner i huaj nuk ka fituar një Kupë Bote me një kombëtare tjetër. Sidoqoftë, kjo ishte e pashmangshme, duke parë rezultatet e fundit dhe presionin e mediave e tifozëve.

Të paktën kanë zgjedhur njërin nga më të mirët. Ancelotti është trajner me suksese të mëdha, me të cilin kam pasur privilegjin të punoj te Milani. Ai ka fituar kudo dhe, ndonëse Botërori nuk është larg, ka potencialin për të bërë një punë të shkëlqyer”.

Më tej, kampioni i botës i vitit 2002 shtoi: “Ancelotti mund të ndërtojë një skuadër të fortë dhe të balancuar, duke kombinuar më të mirën e futbollit europian dhe atij brazilian. Me mbështetje dhe kohë për ta vëzhguar nga afër skenën kombëtare, ai mund ta udhëheqë Brazilin drejt titullit të shumëpritur të gjashtë botëror. I uroj shumë fat në këtë sfidë të madhe”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit